Politike

Progres-raporti i KE/ PD: Këmbanë alarmi! Shqipëria me Ramën drejt humnerës

Anëtari i Kryesisë së PD, Aldo Bumçi në një deklaratë për mediat u shpreh se progres-raporti i Komisionit Europian është një këmbanë alarmi dhe se Shqipëria nën drejtimin e kryeministrit, Edi Rama po shkon drejt humnerës.

13 Tetor 2022, 13:09 Nga e.k
Progres-raporti i KE/ PD: Këmbanë alarmi! Shqipëria me Ramën
Aldo Bumçi

TIRANË- Partia Demokartike ka reaguar pas Progres-raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Anëtari i Kryesisë së PD, Aldo Bumçi në një deklaratë për mediat u shpreh se progres-raporti i Komisionit Europian është një këmbanë alarmi dhe se Shqipëria nën drejtimin e kryeministrit, Edi Rama po shkon drejt humnerës.

Sipas selisë Blu lufta ndaj korrupsionit mbetet një problem serioz si dhe pavarësia e gjyqësorit apo liria e medias.

"Një listë e gjatë shkeljesh, kriteresh të paplotësuara dhe punësh të pabëra, apo të bëra keq, e kthejnë Ramën dhe administratën e tij në poster të keq-qeverisjes. Shqetësim kryesor i Brukselit mbetet lufta kundër korrupsionit sistemik dhe veçanërisht korrupsionit në nivel të lartë. Duke qenë se lista është e gjatë, ne do të shmangim komentet, duke publikuar vetëm qortimet kryesore të BE dhe duke kujtuar se në raport gjenden të gjitha shqetësimet që ka ngritur vazhdimisht opozita", tha Bumçi.

DEKLARATA E ALDO BUMÇIT:

Progres -Raporti i Bashkimit Europian për Shqipërinë është një kambanë e fortë alarmi dhe sinjal rreziku.
 
Një listë e gjatë shkeljesh, kriteresh të paplotësuara dhe punësh të pabëra, apo të bëra keq, e kthejnë Ramën dhe administratën e tij në poster të keq-qeverisjes.
Shqetësim kryesor i Brukselit mbetet lufta kundër korrupsionit sistemik dhe veçanërisht korrupsionit në nivel të lartë. Duke qenë se lista është e gjatë, ne do të shmangim komentet, duke publikuar vetëm qortimet kryesore të BE dhe duke kujtuar se në raport gjenden të gjitha shqetësimet që ka ngritur vazhdimisht opozita. 
 
Shqetësimi thelbësor i PD për shpopullimin shfaqet në raport, siç gjenden aty edhe kritikat tona të forta për amnistinë fiskale dhe “pasaportat e arta”. Kritika që lidhet me eksodin shqiptar, Partinë demokratike, si forca e liberalizimit të vizave, e shqetëson veçanërisht, sepse ka të bëjë me mundësinë të rikthimit të vizave për shqiptarët.
 
Më poshtë janë pikat kryesore të gjetjeve të Progres-Raportit: 
 
-Numri i shtetasve shqiptarë që paraqesin kërkesa për azil në shtetet anëtare të BE-së është rritur ndjeshëm në verën e vitit 2021. 
 
-Fenomeni i të miturve të pashoqëruar vazhdon të jetë shqetësim.
 
-Komisioni po monitoron nga afër në kuadër të mekanizmit monitorues pas liberalizimit të vizave, dhe të mekanizmit të pezullimit të vizave.
 
-Shqipëria vazhdon të jetë nën monitorim të shtuar për pastrimin e parave.
 
-Miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval rrezikon përparimin në këtë fushë, dhe luftën kundër pastrimit të parave.
 
-Keqpërdorimi i burimeve shtetërore vazhdon të jetë problem, sikurse ishte rasti i bashkisë së Durrësit për zgjedhjet e pjesshme të marsit, dhe të zgjedhjeve të përgjithshme të 2021.
 
 -Ka cënim të pavarësisë së medias, frikësim të gazetarëve, mungesë të aksesit në institucionet qeveritare, mungesa e transparencës. Të sigurohet pavarësia e RTSH.
 
-Kadastra është sektor i prirur ndaj korrupsionit, që cënon regjistrimin e të dhënave kadastrale. Procesi i kompesimit ka ngecur.
 
-Shqipëria duhet të frenohet nga zbatimi i skemës se pasaportave të arta, pasi përbën rrezik për sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal, financimin e terrorizmit, korrupsionin dhe infiltrimin nga krimi i organizuar dhe është i papajtueshëm me legjislacionin e BE-së. 
 
-Është ulur me 35% shkëmbimi i informacioneve të Policisë shqiptare me partnerët përmes sistemit SIENA.
 
-Përgjigja ndaj rrjeteve të krimit të organizuar duhet të jetë më proaktive dhe sistematike.
 
-Nuk ka qasje strategjike dhe sistematike për identifikimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale jashtë vendit dhe ato “të paarritshme”. 
 
-Shqipëria vazhdon të jetë vend origjine, tranziti dhe destinacioni i trafikimit të qenieve njerëzore.
-Krimi gjeneron sasi të madhe parash përmes trafikut të drogës, evazionit fiskal, kontrabandimit dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
 
-Shqipëria nuk ka një strategji kombëtare për drogat dhe as observator kombëtar për drogat.
 
-Trafikimi i drogës vazhdon të jetë forma më e përhapur e krimit të rëndë.
 
-Gjyqësori vuan nga procedurat e gjata, shkalla e ulët e gjykimit përfundimtar, dhe numri i madh i çështjeve të mbartura.
 
-Mbrojtja e konsumatorëve dhe shëndetit është e kufizuar.
 
Edi Ramës i duhet të lëshojë tepsinë dhe të kapë timonin, sepse makina e Shqipërisë, siç shihet qartë në raportin e Brukselit, është jo në drejtimin e duhur, por drejt humnerës. Shqiptarëve u bëjmë thirrje të na bashkohen në protesta mbarë popullore.  Një vend në rrezik shpëtohet vetëm duke hequr burimin e rrezikut.

Ditën e djeshme u prezantua Progres-raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë. Raporti ngre disa shqetësime kyçe në lidhje me ecurinë e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE dhe përmbushjen e objektivave të vendosura. Në raport ngrihet shqetësimi për parlamentin, ndërsa thuhet se kryeministri Edi Rama nuk mori pjesë në 4 interpelancat e thirrura. BE gjithashtu thekson se konsultimet publike janë fiktive ndërsa Autoriteti i Konkurrencës u zgjodh duke shmangur dëgjesën. Problem është edhe përdorimi i parave publike si në rastin e Bashkisë Durrës, ku u përdorën fondet e Tërmetit, ndërsa flitet edhe një bashkëpunim të gjerë mes qeverisë dhe opozitës.

partia demokratike aldo bumci

Sondazh

Poll