Bota

Fjalimi i Ramës në KiE, Grubi: I bashkohem thirrjes së tij për drejtësi ndaj krerëve të UÇK-së

Grubi i është bashkuar thirrjes së kryeministrit Rama, për drejtësi ndaj katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale.

12 Tetor 2022, 21:15 Nga A.B
Fjalimi i Ramës në KiE, Grubi: I bashkohem thirrjes së tij
Artan Grubi dhe Edi Rama

MAQEDONI E VERIUT- Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi ka komentuar fjalimin e kryeministrit Edi Rama në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ai e ka konsideruar si “porosi të fuqishme drejtuar Evropës”. Grubi i është bashkuar thirrjes së kryeministrit Rama, për drejtësi ndaj katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale.

“Retrospektivë faktike e historisë së mbarë popujve të Ballkanit, e kapitullit të mbyllur të armiqësive dhe kapitullit të hapur të paqes dhe bashkëpunimit nën udhëheqjen e institucioneve ndërkombëtare, si dhe porosi të fuqishme drejtuar Europës mike nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, sot në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Fjalë që vunë në dukje vullnetin tonë të palëkundur të partneritetit properëndimor dhe ëndrrën e pashuar të integrimit, por edhe kërkesat tona plotësisht legjitime dhe të drejta kombëtare për Kosovën dhe luftën e saj të drejtë ndaj mbrapështisë ideologjike të një regjimi okupator. I bashkohem plotësisht thirrjes së tij për drejtësi ndaj katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen nga Gjykata Speciale dhe kërkesës për rishikimin e Rezolutës 1782 që të shpallen të pabaza akuzat për trafikim të organeve njerëzore në luftën e Kosovës.”, shkruan Grubi në Facebook.

Kryeministri Edi Rama kërkoi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës që të rrëzonin akuzat kundër Kosovës dhe të pranojnë kërkesën e Shqipërisë, për një raport vijues ndaj atij të Dick Marty-t. Kreu i Qeverisë kërkoi rishikimin e Rezolutës 1782 (të miratuar në vitin 2011) për raportin e Dick Marty, për t'i shpallur të pabazuara akuzat e tij për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës së fundit në Kosovë. Rama e cilësoi raportin si një lajm të rremë që u shndërrua në rezolutë dhe që po dëmton Kosovën. Por kërkesat e kryeministrit shqiptar shkaktuan debate në seancën plenare, ku disa prej të pranishmëve i cilësuan “akuza të pashembullta”.

artan grubi edi rama rama per dick marty 12 tetor 2022

Sondazh

Poll