Bota

Kriza në Maqedoni, edhe vëllai i ish-kryeministrit Zaev hap kompani për prodhimin e energjisë elektrike

Pronari i kësaj kompanie rezulton babai i Zoran dhe Vice, Pançe Zaev dhe kapitali fillestar i investimit është 5 mijë euro si dhe lloji i aktivitetit është regjistruar si “prodhimi i energjisë elektrike”.

10 Tetor 2022, 10:13 Nga d.a.
Kriza në Maqedoni, edhe vëllai i ish-kryeministrit Zaev hap kompani
Zoran dhe Vice Zaev

MAQEDONIA E VERIUT- Në një kohë kur e gjithë Europa është e prekur nga kriza energjitike pas nisjes së luftës në Ukrainë, sanksioneve ndaj Rusisë dhe ndërprerjes nga kjo e fundit e furnizimit me energji, në Maqedoninë e Veriut, Vice Zaev, vëllai i ish-kryeministrit Zoran Zaev u bë menaxher i një kompanie të sapoformuar për prodhimin e energjisë elektrike e regjistruar në periudhën e kaluar, Solar Green Energy. Sipas mediave maqedonase, pronari i kësaj kompanie rezulton babai i Zoran dhe Vice, Pançe Zaev dhe kapitali fillestar i investimit është 5 mijë euro si dhe lloji i aktivitetit është regjistruar si “prodhimi i energjisë elektrike”.

Nuk dihet se cilat burime të prodhimit të energjisë elektrike do të përdorin babai dhe vëllai i Zoran Zaev. Ish-kryeministri deri më tani ka konfirmuar vetëm se Total Energy, kompania në pronësi të djalit të tij 18-vjeçar Dushko Zaev, do të shesë energjinë elektrike të prodhuar nga panelet fotovoltaike.

“Çdo investim i ri në vendin tonë është i mirëseardhur, sidomos investimi në energji sepse ne si shtet kemi një deficit energjetik. Kompania është e djalit tim. Bëhet fjalë për planifikimin e investimit në një termocentral fotonik (kolektorë diellorë) në luginën e Strumicës në një sipërfaqe prej pesë hektarësh dhe një fuqi prej 470 kilovatësh. Si familje, krahas aktiviteteve të rregullta që bëjmë, po planifikojmë edhe investime në impiante fotovoltaike dhe shfrytëzimin e dritës së diellit. Elektriciteti i prodhuar lehtë mund t’i shitet cilësdo prej dhjetë kompanive tregtare që blejnë energji elektrike në Maqedoninë e Veriut”, tha Zaev.

Pas themelimit të Total Energy në shkurt të 2022 nga djali 18-vjeçar i Zoran, Dushko Zaev, Solar Green Energy është kompania e dytë në familjen e afërt të ish-kryeministrit maqedonas që futet në biznesin e energjisë elektrike.

Komisioni Rregullativ i Energjisë (RKE) ka lëshuar këtë vit licenca për kompanitë për kapacitet prej 63.5 megavat fotovoltaikë dhe 6.5 megavat për hidrocentrale të vogla, ndërsa interesimi për investime të tilla po rritet me shfaqjen e krizës energjetike. RKE pret që deri në fund të vitit të ketë mbi 100 megavat burime të ripërtëritshme të reja të ndërtuara rishtazi me licenca që tashmë janë lëshuar ose janë në proces të lëshimit. RKE ka dorëzuar 134 licenca për prodhimin e energjisë elektrike nga fotovoltaikë apo hidrocentrale të vogla. Në muajin e fundit, ata marrin rreth 30 deri në 40 kërkesa për miratim licence në javë.

zoran zaev vice zaev pance zaev

Sondazh

Poll