Bota

Nobeli për Paqen e merr avokati bjellorus dhe dy organizata

Marrësit e një prej çmimeve më të lakmuara në planet vlerësohen gjithashtu për përpjekjet e tyre për të dokumentuar "krimet e luftës, abuzimet e të drejtave të njeriut dhe abuzimin me pushtetin".

7 Tetor 2022, 11:04 Nga k.m.
Nobeli për Paqen e merr avokati bjellorus dhe dy organizata
Çmimi Nobel

SUEDI- Nobeli për Paqen e merr një person dhe dy organizata. Avokati bjellorus i të drejtave të njeriut Ales Bialiatski dhe dy organizata nga Rusia dhe Ukraina – Memorial dhe Qendra për Liritë Civile – kanë fituar Çmimin Nobel për Paqen për vitin 2022. 

"Fituesit "dëshmojnë rëndësinë e shoqërisë civile për paqen dhe demokracinë. Ata treguan rëndësinë e të drejtës për të kritikuar pushtetin dhe për të mbrojtur të drejtat themelore të qytetarëve,"-thotë kryetari i Komitetit të Nobelit.

Marrësit e një prej çmimeve më të lakmuara në planet vlerësohen gjithashtu për përpjekjet e tyre për të dokumentuar "krimet e luftës, abuzimet e të drejtave të njeriut dhe abuzimin me pushtetin". Ndërkohë që pretendentë për Nobelin e Paqes ishin gjithashtu: Volodymyr Zelensky (Presidenti i Ukrainës); Kyiv Independent (lajme ukrainase në gjuhën angleze); Alexei Navalny (udhëheqësi i opozitës ruse i burgosur); Greta Thunberg (aktiviste e mjedisit); Organizata Botërore e Shëndetësisë (agjencia e OKB-së që punon për të promovuar shëndetin global); Nathan Laë (aktivist pro-demokracisë në Hong Kong); Ilham Tohti (akademik); Simon Kofe (ministri i Jashtëm i Tuvalut), etj. 

Ales Bialiatski është një udhëheqës qytetar bjellorus dhe aktivist i të drejtave të njeriut, i njohur për punën e tij me Qendrën për të Drejtat e Njeriut "Viasna". Në vitin 2020, ai fitoi çmimin Right Livelihood, i njohur gjerësisht si "Çmimi Alternativ Nobel". Që nga 14 korriku 2021, ai është burgosur nën akuzën për evazion fiskal. 

Qendra për Liritë Civile është një nga organizatat kryesore të Ukrainës për të drejtat e njeriut. Ajo u themelua në vitin 2007, kur udhëheqësit e organizatave të të drejtave të njeriut nga nëntë vende post-sovjetike vendosën të krijojnë një qendër mbështetjeje për burimet ndërkufitare në Kiev. Që nga themelimi i saj, QLC ka monitoruar persekutimet politike në Krimenë e pushtuar, ka dokumentuar krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit gjatë luftës në Donbas dhe ka organizuar fushata ndërkombëtare për lirimin e të burgosurve politikë të Kremlinit.

Memorial është një nga organizatat më të vjetra të të drejtave të njeriut në Rusi. Për më shumë se 30 vjet, Memorial punoi për të rikuperuar kujtimin e miliona njerëzve të pafajshëm të ekzekutuar, të burgosur ose të persekutuar në epokën sovjetike. Organizata u mbyll vitin e kaluar.

Në dhjetor 2021, Gjykata e Lartë e Rusisë urdhëroi mbylljen e Memorial dhe degëve të saj rajonale sepse kishte shkelur ligjin e agjentëve të huaj të vitit 2012. Çmimi Nobel për Paqe, që ndahet çdo vit, nderon individë apo organizata që "bëjnë angazhimin më të madh për të mirën e njerëzimit dhe miqësisë mes kombeve". Fituesit e Nobelit u shpallën të premten në Oslo nga Berit Reiss-Andersen, kryetare e Komitetit Norvegjez të Nobelit.

Çmimi nobel cmimi nobel per paqen

Sondazh

Poll