Politike

Akuzat për zgjedhjet në FRPD, Noka: Të rinjtë kanë emocione, bëjnë artikulime në ajër

Referuar akuzave publike, ai shtoi se të rinjtë kanë emocione dhe se ka artikulime në ajër, por zyrtarisht nuk ka kontestime.

4 Tetor 2022, 23:29 Nga F.M
Akuzat për zgjedhjet në FRPD, Noka: Të rinjtë kanë
Flamur Noka

TIRANË- Deputeti dhe njëkohësisht Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka deklaroi se procesi zgjedhor për kreun e FRPD-së ishte i shkëlqyer. I ftuar në ‘EuroNews’, Noka tha se kandidatët nuk kanë kontestuar rezultatin. Referuar akuzave publike, ai shtoi se të rinjtë kanë emocione dhe se ka artikulime në ajër, por zyrtarisht nuk ka kontestime.

“Nuk ka asnjë dyshim për garën në forum. Çfarë ishte gara për forumin? Për herë të parë në Shqipëri, të rinjtë e një forumi rinor, organizojnë, drejtojnë dhe menaxhojnë vetë pa asnjë ndërhyrje partiake, një proces të shkëlqyer elektoral. Për herë të parë, ke parë që partia nuk ka caktuar, janë propozuar 6 kandidatë. I janë nënshtruar një procesi dhe kanë bërë debat publik. Është zhvilluar një proces, asnjë kontestim zyrtar nga askush nuk ka. Unë i kuptoj, janë të rinj, kanë emocione, ka edhe artikulime në ajër. Prova, fakte, ankesa nuk ka. Kandidatët deri më tani, nuk kanë pasur kontestim,”- tha Noka.

Zgjedhjet në Forumin Rinor demokrat u mbajtën me 1 tetor dhe në garë për numrin një të të rinjve demokratë ishin 6 kandidatë, konkretisht, Maringlend Doçi, Barbara Doda, Besart Xhaferri, Artion Bajramaj, Alesia Balliu dhe Arnold Karriçi. Fitues me një diferencë të madhe u shpall Besart Xhaferri i cili mori besimin e 5256 të rinjve demokratë. Ky proces është shoqëruar me polemika të shumta dhe me një debat të ashpër mes akuzave për blerje votash dhe manipulim procesi. Mes zhurmës së madhe të krijuar vetë kreu i zgjedhur i të rinjve demokratë është shprehur se nuk ka manipuluan askënd dhe asgjë dhe se është i gatshëm të punojë me të gjithë për të bashkuar Forumin Rinor të Partisë Demokratike.

flamur noka zgjedhjet ne frpd

Sondazh

Poll