Politike

Konfiskimi i kateve pa leje, Rama i përgjigjet kritikave dhe kapet me mediat: Nesër flasim sërish...

Edi Rama nuk përjashton as komentet e qytetarëve, për të cilët thotë se janë të mërzitur me politikën dhe numrin një të qeverisë e lidhin me figura të tjera të politikës.

30 Shtator 2022, 18:56 Nga k.m.
Konfiskimi i kateve pa leje, Rama i përgjigjet kritikave dhe kapet me
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kritikave në lidhje me aksionin e qeverisë për konfiskimin e kullave të ndërtuara pa leje në kryeqytet. Në rrjetin e tij social, Facebook, Rama ka publikuar një dokument për sekuestrimin e 4 mijë e 646 metrave katrorë në qendër të Tiranës, të cilat thotë se shteti i ka marrë një ditë më parë për interes publik. Po ashtu, i kthen një përgjigje edhe kritikëve, duke u shprehur se në fakt turpi është i atyre që flasin kundër tij. Po nuk përjashton as komentet e qytetarëve, për të cilët thotë se janë të mërzitur me politikën dhe numrin një të qeverisë e lidhin me figura të tjera të politikës. Megjithatë ka premtuar më shumë sqarime nesër, me shumë gjasa në një tjetër komunikim nga zyra e tij.  

"Turpi është vetëm i urrejtësve profesionistë të politikës dhe medias, që me tërbimin e tyre të pangushëllueshëm, rrisin përditë sasinë e llumit të kanaleve e të portaleve, ku s’ka më vend për të vërtetën, faktet, argumentat. Ata e helmojnë papushim këdo i ndjek gabimisht me respekt dhe këdo që gabimisht i lexon për të marrë vesh të vërtetën. I kanë bërë vetë ose do t’i bënin vetë po të kishin mundësi, të tëra zullumet e poshtërsitë për të cilat më akuzojnë mua! Prandaj edhe as e konceptojnë dot, që dikush mund ta udhëheqë këtë vend pa futur duart në xhepat e të tjerëve apo në arkën e shtetit; jo më të kenë pastaj edukatën elementare demokratike, që të mos ta akuzojnë tjetrin pa prova, për akte e vepra penale. Unë natyrisht nuk jam i rënë nga qielli, po duan s’duan ata që s’duan, s’e kam bërë kurrë nën këtë qiell asnjë nga aktet a veprat në fjalë dhe prandaj as jam ndalue ndonjëherë, as kam ndërmend të ndalem deri në fund, përballë kujtdo e çfarëdo beteje në interes të këtij vendi,"-shkruan Rama në postimin e tij.

POSTIMI I PLOTË ME DOKUMENTAT: 

Lidhur me aksionin për konfiskimin e kullave, ditën e sotme 4 zyrtarë të Policisë në Farkë përfshirë edhe shefin e Komisariatit nr.1, Bujar Mehmeti janë pezulluar nga detyra. Vendimi është marrë nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore që ka vendosur pezullimin për 30 ditë edhe për Flamur Sulën, shef i postës policore në Farkë, inspektorin e krimeve, Alban Rama dhe specialistin Nazmi Kareci. Ata akuzohen se janë përfshirë në çështjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Farkës, ku dyshohet se nuk kanë marrë masa për të ndaluar ndërtimet pa leje.

Pak kohë më parë, qeveria, miratoi një vendim që tentonte të amnistonte ndërtimet pa leje të ndërtuesve të fuqishëm kundrejt konfiskimit ose duke iu ofruar të drejtën e blerjes me çmimin e tregut. Por vendimi anashkalon Kodin Penal, i cili i klasifikon ndërtimet e paligjshme si vepër penale, që dënohet deri në 8 vite burg. Me gjithë tentativën e qeverisë për amnisti, zyrtarët përgjegjës për mbrojtjen e territorit me sa duket kanë ngurruar të mbajnë përsipër riskun për të mos bërë kallëzim penal, pasi kjo i ngarkon me përgjegjësinë e moskallëzimit të krimit. Deri më tani janë konfiskuar dy ndërtime, ndërsa Pëllumb Salillari u bë biznesmeni i parë që kallëzohej penalisht pas aksionit të qeverisë ndaj ndërtimeve pa leje.

edi rama konfiskimi i kullave

Sondazh

Poll