Bota

Putin nënshkruan nesër aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës, "udhëheqësit" separatistë në Moskë

Pas referendumeve, presidenti rus Vladimir Putin pritet të nxjerrë një dekret zyrtar. Pas nënshkrimit, ai do të mbajë një fjalim.

29 Shtator 2022, 15:41 Nga k.m.

 

Putin nënshkruan nesër aneksimin e katër rajoneve të
Vladimir Putin

 

KIEV- Një dekret për aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës do të nënshkruhet nesër nga presidenti rus, Vladimir Putin. Në fakt, për këtë qëllim, drejtuesit e katër rajoneve që janë nën kontrollin rus ndodhen në Moskë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve Tass se ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve do të zhvillohet të premten në orën 15:00 me kohën e Moskës.

Sipas mediave të huaja, Putin do të mbajë një ceremoni nënshkrimi në Kremlin, të ndjekur nga një fjalim madhor dhe një takim me katër liderët separatistë. Marrëveshjet do të nënshkruhen "me të katër territoret që mbajtën referendume dhe i paraqitën kërkesat përkatëse palës ruse".

Me nënshkrimin e dekretit, Putini kërkon të bëjë rreth 15 për qind të Ukrainës, shtëpinë e 4 milionë banorëve, 'de facto' pjesë e Rusisë. Tashmë, zyrtarë të emëruar nga Moska në rajonet e Donetskut, Ukrainës lindore, Zaporizhia dhe Kherson, në jug të Ukrainës, mbërritën në Moskë.

Procesi i aneksimit të katër rajoneve të Ukrainës të kontrolluara nga Rusia është përshpejtuar ditët e fundit, pas mbajtjes së nxituar të referendumeve, të cilat u cilësuan si "mashtrim" nga Kievi dhe Perëndimi. Po ashtu, sipas agjencive ruse të lajmeve, parlamenti i Rusisë pritet të votojë në ditët në vijim dhe do të zyrtarizojë aneksimin. Gjithashtu pritet një fjalim i presidentit Putin para deputetëve të Dumës (dhoma e ulët) dhe Këshillit të Federatës (dhoma e sipërme).

Pas një referendumi për aneksimin e Krimesë, një gadishull në pjesën jugore të Ukrainës, në vitin 2014, Putin mbajti një fjalim duke iu kërkuar parlamentarëve rusë që të ratifikojnë aneksimin e territorit në Rusi. Komuniteti ndërkombëtar nuk e ka njohur kurrë aneksimin e Krimesë nga Rusia.

vladimir putin referendumi ne ukraine

Sondazh

Poll