Aktualitet

Atentati në Lushnje ndaj Kujtim Metës, identifikohet pas 6 muajsh autori (EMRI)

Policia ka shpallur në kërkim Dorian Shurdhin, person që sipas forcave blu ka qëlluar ndaj Metës.

28 Shtator 2022, 11:46 Nga A.B
Atentati në Lushnje ndaj Kujtim Metës, identifikohet pas 6 muajsh
Kujtim Meta

LUSHNJE- Pas gjashtë muajsh është zbuluar identiteti i personit i cili i bëri atentat Kujtim Metës në Lushnje. Policia ka shpallur në kërkim Dorian Shurdhin, person që sipas forcave blu ka qëlluar ndaj Metës. Gjykata e Lushnjes ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”. 

NJOFTIMI I POLICISË:

Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore, ngjarja e ndodhur më datë 20.04.2022, në Lushnjë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi K. M. Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar. Pas një pune të mirëfilltë hetimore, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi ligjor i ngjarjes së ndodhur më datë 20.04.2022, në lagjen “Skënder Libohova”, Lushnjë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi K. M., 44 vjeç. Si rezultat i hetimeve të thelluara dhe provave të grumbulluara në lidhje me këtë ngjarje, u bë identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit D. Sh., 29 vjeç, banues në Lushnjë, i cili u shpall në kërkim.

Për 29-vjeçarin, pas identifikimit nga ana e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat e siguruara, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”. Vijon puna për kapjen e shtetasit D. Sh. dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë penale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

44-vjeçari, Kujtim Meta u plagos më 20 Prill në Lushnje. Meta ndodhej në një lokal në momentin që u qëllua me breshëri plumbash, dy prej të cilëve e kapën në zonën abdominale. 44-vjeçari u shtrua në Spitalin e Traumës, aty ku mori mjekimin nga bluzat e bardha. Në media u bë e ditur se Meta nuk ishte shënjestra e atentatit por atentatori e ka ngatërruar me një person tjetër.

dorian shurdhi kujtim meta

Sondazh

Poll