Politike

Kërkoi mandat të dytë/ S’ka mundësi tjetër për Arben Krajën, Balla: S'do prekim Kushtetutën

Taulant Balla u përgjigj, duke e "vulosur" kështu që mandati i tij nuk do të zgjatet, ashtu siç ndodhi me mandatet e dy organeve të Vettingut, KPK dhe KPA-së. 

26 Shtator 2022, 18:07 Nga k.m.
Kërkoi mandat të dytë/ S’ka mundësi tjetër
Taulant Balla dhe Arben Kraja

TIRANË- Arben Krajës nuk do ti jepet mundësia për t’u rizgjedhur në krye të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kur mandati prej 3 vitesh të ketë përfunduar. Socialistët, në emër të të cilëve ka folur kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla theksojnë se për të plotësuar kërkesën e tij nuk do të preket Kushtetuta. Duke e "vulosur" kështu që mandati i tij nuk do të zgjatet, ashtu siç ndodhi me mandatet e dy organeve të Vettingut, KPK dhe KPA-së. 

"Mund të vijë propozim nga një palë. Mund të vijë propozim nga një grup deputetësh. Por asnjë prej nesh ka të drejtë të ndryshojë thelbin e reformës. Nuk duhet të nxitojmë duke gabuar. Ne nuk i kemi 84 vota dhe në këtë këndvështrim dëshira jonë është të gjejmë formulime të cilat krijijonë sa më shumë konsensus brenda Kuvendit. Ftesa ime për kreun e grupit parlamentar të PD, Alibeajn, frymën e gjetjes së dialogut dhe të zgjedhjeve. Të ulemi dhe t'i diskutojmë një nga një,"-tha në intervistën për "OraNews", Taulant Balla.

Pavarësisht se në parlament është ngritur një grup pune me 3 socialistë dhe 2 demokratë të Alibeajt, për të ndryshuar disa ligje të reformës në drejtësi, në objektin e tyre të punës nuk pritet të jetë një mundësi i dytë për Arben Krajën. Ky i fundit, mbaron mandatin e tij të parë dhe të fundit, si kreu i SPAK, por ka edhe 3 vite për të shpërbyer si prokuror i thjeshtë në këtë institucion.

Çfarë kërkon Kraja?

Kushtetuta dhe Ligji nr.95.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, parashikon që prokurorët e SPAK kanë një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë përsëritje, ndërsa drejtuesi një mandat 3-vjeçar pa të drejtë përsëritje. Në kërkesën e tij drejtuar Kuvendit në prill të vitit 2021, kreu i SPAK, Arben Kraja kërkon heqjen e këtij kufizimi dhe të drejtën e rikandidimit.

“Gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Posaçme të Apelit nuk e kanë një kufizim të tillë; të gjithë prokurorët e tjerë në sistemin e prokurorisë nuk e kanë një kufizim të tillë; drejtuesit e institucioneve kushtetuese nuk kanë një mandat të tillë të shkurtër në kohë dhe pa të drejtë rikandidimi…,”-thuhet në kërkesën e Krajës.

Kraja, mandati i së cilit përfundon në dhjetor të këtij viti, kërkon që këto përcaktime ligjore duhen hequr ose riformuluar, me qëllim që të hiqet mandati i kufizuar.

“…propozojmë që ndryshimi të jetë vetëm në dhënien e të drejtës për të rikandiduar, si për drejtuesin e prokurorisë, ashtu dhe për prokurorët e posaçëm,”- shton ai.

taulant balla arben kraja

Sondazh

Poll