Aktualitet

Homazhet për ndarjen nga jeta të piktorit Shijaku, i biri: Telefonatat e fundit i bëri me shokët

Miqtë dhe dashamirësit, kishin mundësi t'i jepnin lamtumirën e fundit artistit.

25 Shtator 2022, 11:24 Nga A.B
Homazhet për ndarjen nga jeta të piktorit Shijaku, i biri: Telefonatat
Orgest Shijaku

TIRANË- Ditën e sotme, u zhvilluan homazhet për ndarjen nga jeta të piktorit Sali Shijaku. Homazhet në nder të artistit të njohur u organizuan nga Bashkia e Tiranës dhe u mbajtën në hollin e Teatrit të Operas dhe të Baletit nga ora 10:00 deri në orën 12:00. Djali i tij, Orgest Shijaku zbuloi për mediat se i ati ka bërë në momentet e fundit disa telefonata me miqtë, duke mos dhënë më shumë detaje.

I kam qëndruar aty deri në momentet e fundit, për artin shqiptar unë besoj që është një humbje e madhe, gjithë jetën ia ka kushtuar, Shqipërisë, flamurit tonë kombëtarë dhe nëse do e shohim nga njëra anë, është një shenjë e tij, te muze kemi afreskun e tij, Galeria e Arteve ka 99 vepra të tij, ai nuk ka dashur dekorata, familjarisht nuk e prisnim gjithë këtë që po bëjnë mediat, shokët e vet, apo edhe nga vetë qytetarët. Në të gjitha aspektet, nuk po them nga ana e qeverisë apo e shtetit, mendoj se Sali Shijaku ka arritur që të marrë të gjitha meritat dhe dekoratat. Ka bërë telefonatat e fundit me shokët e vet. Bota është krijuar nga 2 gjëra, e nga drita dhe ngjyrat, ne meshkujt jemi ngjyrat, ndërsa nënat shqiptare janë dritat”, ka zbuluar i biri.

Miqtë dhe dashamirësit, kishin mundësinë t'i jepnin lamtumirën e fundit artistit.

Por kush ishte artisti Sali Shijaku? 

Shijaku ishte nderuar me titullin "Piktor i Popullit" dhe "Artist i Merituar". Ai ishte piktor kolorist dhe krijues i kompozimeve njëfigurëshe. Ai lindi në Tiranë në një familje tregtarësh të vegjël. Pasi kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”,  vazhdoi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve “I.E.Rjepin” në Leningrad (sot Shën Petërburg gjatë viteve 1956-‘61). Tabloja e njohur si "Heronjtë e Vigut" është edhe diploma e tij si student.  Shijaku ishte pjesë e artistëve shqiptarë, që trajtuan tablonë kompozicionale, kryesisht me temë nga lufta, nga historia, nga legjendat, por edhe nga aktualiteti i kohës.

Shteti shqiptar e ka vlerësuar dhe nderuar kontributin e artistit me mjaft çmime dhe i ka akorduar disa Çmime Republike (1956, 1970, 1984, 1989). Në vitin 1969 ai mori titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1979 “Piktor i Popullit”. Më 2004-ën ai u nderua me titullin “Nderi i Qarkut të Tiranës”. Në fondin e GKA-së ruhen 92 vepra të artistit në pikturë dhe skulpturë, nga të cilat 19 vizatime (penë, karbon dhe flamastër), 7 punime në qeramikë dhe 1 në allçi. Një pjesë e koleksionit të veprave të Shijakut janë të ekspozuara në sallat kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e Sali Shijakut ndodhen në shumë vende të botës dhe sot janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.

sali shijaku

Sondazh

Poll