Aktualitet

Hapen burgjet? Amnisti për të burgosurit, MD: S'ka asnjë draft për projektligj

Sipas një reagimi zyrtar nga Ministria e Drejtësisë bëhet me dije se deri më tani nuk ka asnjë draft, as të shkuar dhe as ndonjë për të cilin po konsultohen për ndonjë amnisti të mundshme.

24 Shtator 2022, 17:00 Nga k.m.
Hapen burgjet? Amnisti për të burgosurit, MD: S'ka asnjë
Ministria e Drejtësisë

TIRANË- Ministria e Drejtësisë ka mohuar pretendimet se po përgatitet një amnisti për të burgosurit. Sipas një reagimi zyrtar nga Ministria e Drejtësisë bëhet me dije se deri më tani nuk ka asnjë draft, as të shkuar dhe as ndonjë për të cilin po konsultohen për ndonjë amnisti të mundshme.

Reagimi:

Deri tani nuk ka asnjë draft, të shkruar, apo në konsultim, për një projekt-ligj mbi një amnisti të mundshme. Nuk ka asnjë grup pune në Ministri të Drejtësisë, apo në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ngritur për këtë qëllim. Ministria e Drejtësisë u lutet mediave, të përdorin edhe informacionin në rrugë zyrtare, pasi lajmet vetëm burimore që rezultojnë të rreme shkaktojnë indinjatë, zemërim dhe mosbesim tek familjarët, tek personat në konflikt me ligjin dhe tek publiku, jo vetëm ndaj institucioneve publike, por edhe vetë medias.

Reagimi erdhi pasi sot në media u publikua lajmi se pas 3 vitesh, qeveria shqiptare po planifikon të aplikojë një tjetër amnisti në burgjet shqiptare për mbi 5500 persona. 

"Nga kjo amnisti përfitojnë të dënuarit, deri në datën 31 Tetor 2022. Me sa duket qeveria kërkon të surprizojë për festat e nëntorit dhe dhjetorit, mbi 5500 persona që vuajnë dënimin në burgjet shqiptare. Megjithëse një pjesë e mirë e tyre nuk përmbushin kriteret për të përfituar nga kjo aministi që synohet të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo pasi qeveria ka përcaktuar në dy nene të posaçme dhe kushtet e veçanta se kush nga të dënuarit, do mundë të përfitojë nga amnistia. Projektligji i fundit për dhënien e amnistisë, pritet të sjellë lirimin e mbi 1 mijë të dënuarve që ndodhen në burgjet shqiptare,"-shkruhet ndër të tjera në artikullin e publikuar nga "OraNews".

ARTIKULLI I PLOTË:

Kur kanë kaluar plot 3 vite nga dhënia e amnistisë së fundit për një kategori personash që vuajnë dënimin në burgje për vepra të ndryshme penale, qeveria shqiptare po planifikon të aplikojë një tjetër amnisti në burgjet shqiptare. Projektligji në fjalë është hartuar në ministrinë e Drejtësisë dhe dorëzuar në Kuvend ku pritet të shqyrtohet në komisionet parlamentare. Kjo lëvizje ligjore vjen në një kohë kur numri i personave në burgje është rritur ndjeshëm dhe kapacitetet logjistike, përfshirë kostot financiare janë shtuar ndjeshëm. RTV Ora dhe “Ora News” ka siguruar ekskluzivisht draftin e Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka parashikuar të përfshijë në skemën e amnistisë së dënimit një kategori të ndryshme dënimesh nga të treja shkallët e gjyqësorit. Sipas ministrisë, nga kjo amnisti përfitojnë të dënuarit, deri në datën 31 Tetor 2022. Me sa duket qeveria kërkon të surprizojë për festat e nëntorit dhe dhjetorit, mbi 5500 persona që vuajnë dënimin në burgjet shqiptare.

Megjithëse një pjesë e mirë e tyre nuk përmbushin kriteret për të përfituar nga kjo aministi që synohet të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo pasi qeveria ka përcaktuar në dy nene të posaçme dhe kushtet e veçanta se kush nga të dënuarit, do mundë të përfitojë nga amnistia. Projektligji i fundit për dhënien e amnistisë, pritet të sjellë lirimin e mbi 1 mijë të dënuarve që ndodhen në burgjet shqiptare.

Kjo gjë sipas zyrtarëve do sillte lirimin e ambjenteve të tejmbushura pasi të dënuarit, kanë hapësira të vogla qëndrimi. Por nga kjo amnisti përfitohet dhe ulja e kostove financiare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Hera e fundit kur kuvendi miratoi një amnisti ka qenë fundviti 2019, periudhë kur ministria drejtohej nga Etilda Gjonaj. Në atë kohë përfituan rreth 800 persona, pjesa më e madhe të mitur të cilët ishin arrestuar dhe dënuar për vepra të ndryshme penale, kryesisht vjedhje.

ministria e drejtësisë amnisti per te burgosurit

Sondazh

Poll