Bota

Ekspertët: Fitoret befasuese të Ukrainës dëmtojnë moralin e ushtarëve rusë

Ukraina thotë se forcat e saj kanë rimarrë qytete dhe fshatra përreth qendrës strategjike të Iziumit, si pjesë e një ofensivë të madhe kundër Rusisë në lindje të vendit.

13 Shtator 2022, 18:22 Nga I.A
Ekspertët: Fitoret befasuese të Ukrainës dëmtojnë
Ukraine

UKRAINË- Ekspertët thonë se Ukraina i ka dhënë kundërshtarit të saj një humbje të madhe operacionale me një kundërofensivë të befasishme në verilindje të vendit, duke dërguar valë tronditëse ndaj ushtrisë ruse. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, i hedh një vështrim ndikimin e mundshëm të këtyre përparimeve ushtarake ukrainase në luftë.

Ukraina thotë se forcat e saj kanë rimarrë qytete dhe fshatra përreth qendrës strategjike të Iziumit, si pjesë e një ofensivë të madhe kundër Rusisë në lindje të vendit. Ekspertët thonë se janë të habitur nga përparimet e papritura të Ukrainës dhe tërheqja e shpejtë e Rusisë.

“Duket se është një dështim i plotë i logjistikës, strategjisë dhe taktikave nga pala ruse. Gjithçka thjesht po shembet. Po dëmtohen rrugët e tyre të furnizimit, trupat po largohen, duke lënë të gjithë municionet e tyre, automjetet dhe armë. Kjo është thjesht e habitshme për mua që është një lloj tërheqjeje kaq e çorganizuar”, thotë Craig Albert, profesor i shkencave politike në Universitetin Augusta.

Ditët e fundit kanë ndikuar në moralin e ushtarëve rusë, thotë për Zërin e Amerikës gjenerali në pension i ushtrisë amerikane Peter Zwack, një ish-atashe i Mbrojtjes amerikane në Rusi.

“Shohim disa aspekte të shkatërrimit të rusëve në vende të caktuara, dhe kjo është përçuese në një mënyrë negative. Kur trupat humbasin vullnetin e tyre për të luftuar, dhe kjo duket se po ndodh pavarësisht se çfarë janë urdhrat nga lart, gjërat bëhen vërtet keq. Dhe kjo është ajo që ne po dëgjojmë sigurisht rreth Kersonit dhe lart pranë Karkivit.

Një tjetër ekspert i tha Zërit të Amerikës se sukseset e Ukrainës në fushën e betejës po ndodhin në një pikë kritike të luftës shtatë mujore.

“Pra, këto përparime janë të mëdha. Ato vijnë në një kohë kur ne po fillojmë të kemi një tjetër debat në perëndim për ofrimin e një ndihme më të madhe kryesisht ushtarake”, thotë Luke Coffey me Institutin Hudson.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken pranoi se kundërofensiva ukrainase është arritur falë mbështetjes amerikane dhe vendeve të tjera.

"Ajo që ata kanë bërë është planifikuar në mënyrë shumë metodike dhe natyrisht është arritur nga një mbështetje e konsiderueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera për t'u siguruar që Ukraina të ketë, në duart e saj, pajisjet që i nevojiten për të kryer këtë kundërofensivë," tha sekretari Blinken.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy vlerësoi trimërinë e trupave ukrainase dhe dënoi Rusinë për kundërpërgjigjen ndaj infrastrukturës civile dhe për shkaktimin e ndërprerjeve të gjera të energjisë në rajonet Karkiv dhe Donetsk.

“Shënjestrimi i infrastrukturës civile nga Rusia, i termocentraleve dhe impianteve të ujit, është një shenjë dëshpërimi. Kështu vepron kur e di se je duke humbur në fushën e betejës. Asnjë komandant ushtarak i arsyeshëm nuk do të sugjeronte përdorimin e raketave balistike me vlerë 30 milionë dollarë për të hequr rrjetin elektrik të Ukrainës për disa orë, por kjo është pikërisht ajo që po shohim", thotë Luke Coffey.

Nuk ka pasur ende shumë reagime zyrtare ruse për përparimet e Ukrainës, por të dielën, një hartë ushtarake e paraqitur nga ministria ruse e Mbrojtjes tregoi se forcat e saj kanë bërë një tërheqje të madhe nga rajoni i Karkivit.

Marrë nga VOA

lufta ukraine-rusi

Sondazh

Poll