Bota

Vuçiç mbledh Këshillin e Sigurisë, temë kryesore do të jetë Kosova

Ky organ do të takohet menjëherë pas takimit të kreut të shtetit me të dërguarin special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, si dhe me këshilltarët e Berlinit dhe Parisit, Jens Plettner dhe Emanuel Bonn.

10 Shtator 2022, 09:03 Nga d.a.

 

SERBI- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, njoftoi dy ditë më parë se ditën e sotme ka caktuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Ky organ do të takohet menjëherë pas takimit të kreut të shtetit me të dërguarin special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, si dhe me këshilltarët e Berlinit dhe Parisit, Jens Plettner dhe Emanuel Bonn.

Në këtë seancë po marrin pjesë edhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, ministri i Financave, Sinisa Mali, drejtori i BIA-s, Bratislav Gashiç, Nebojsha Stefanoviç, shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, Milan Mojsiloviç, dhe drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” Petar Petkoviç. Pas kësaj mbledhje, Vuçiç do të flasë në një konferencë për media

Dy këshilltarët e Scholz dhe Macron vizituan Serbinë të premten pas takimit që zhvilluan me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në prani të Lajçak.. Këshilltarët mbërritën në të dy vendet pas letrës së kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emanuel Macron, në të cilën ata “inkurajonin” liderin serb që të merrte vendime të vështira në lidhje me Kosovën.

Prandaj pritet që temë kryesore në mbledhje të jenë ngjarjet në Kosovë dhe sfidat e sigurisë, sidomos pas vendimit të qeverisë së Albin Kurtit për ndalimin e përdorimit të targave serbe, gjë që ngriti tensione mes dy vendeve. Përveç kësaj, do të diskutohet siguria energjetike dhe përgatitjet e vendit për një nga dimrat më sfidues në dekadat e fundit. Do të diskutohet edhe për luftën hibride që po bëhet kundër Serbisë dhe për sigurinë kibernetike.

serbia mbledh keshillin e sigurimit aleksander vucic

Sondazh

Poll