Aktualitet

Rrumbullaku mbledh vartësit, 'POROSIA': Dilni në terren! 0 tolerancë, s'do iu telefonoj kurrë!

Rrumbullaku kërkoi që Policia Rrugore në Tiranë dhe në të gjithë vendin të ndryshojë mënyrën e deritanishme të funksionimit në raport me sjelljen ndaj shkelësve të Kodit Rrugor dhe qasjen ndaj qytetarëve.

9 Shtator 2022, 12:15 Nga A.B
Rrumbullaku mbledh vartësit, 'POROSIA': Dilni në terren! 0
Muhamet Rrumbullaku

TIRANË- Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku kërkon nga Drejtorët e Departamenteve të Policisë së Shtetit që të dalin e inspektojnë në terren. Kjo ishte porosia që iu dha ditën e djeshme, gjatë takimit prezantues me drejtorët e Departamenteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, drejtorët e Drejtorive Vendore të Policisë dhe drejtorët e Drejtorive Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Drejtori i ri i Përgjithshëm ka kërkuar ndryshim të vizionit që ata kanë.

 “Jam i vendosur për ta ndryshuar vizionin, me qëllim vendosjen e një standardi të ri në raport me qasjen ndaj komunitetit dhe luftën ndaj krimit dhe jo të ndryshoj emra. Dua drejtorë që të mos komandojnë nga zyra, por të jenë në terren, për të kontrolluar, drejtuar dhe menaxhuar veprimtarinë e strukturave policore. Kërkoj analiza të qarta për realizimin e objektivave që keni marrë që në fillim të vitit, analiza për problematikat dhe propozime për zgjidhjen e tyre. Disiplina në punë dhe performanca në komunitet janë faktorë të rëndësishëm për një organizatë që prodhon rend dhe siguri. Mos toleroni dhe mos ndikoni te strukturat, për të ndihmuar askënd që është në shkelje të ligjit. Unë si Drejtor i Përgjithshëm nuk do t’ju telefonoj asnjëherë për të ndihmuar apo toleruar njeri, ndaj kërkoj me vendosmëri që të zbatoni ligjin dhe të mbroni e të ndihmoni stukturat kur ato zbatojnë ligjin me këdo”.

Rrumbullaku mbledh vartësit, 'POROSIA': Dilni në terren! 0

Rrumbullaku ka kërkuar kontroll të plotë të territorit dhe të mënyrës së funksionimit të strukturave në terren; ndryshim të menjëhershëm të situatës në drejtim të parandalimit të krimit në përgjithësi dhe analiza të veçanta për ngjarje kriminale, duke nxjerrë përgjegjësitë dhe mangësitë e strukturave në atë territor ku kanë ndodhur ngjarje kriminale apo krime në familje.

Në takimin me efektivët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë dhe ata të Drejtorisë së Policisë Rrugore, Rrumbullaku kërkoi që Policia Rrugore në Tiranë dhe në të gjithë vendin të ndryshojë mënyrën e deritanishme të funksionimit në raport me sjelljen ndaj shkelësve të Kodit Rrugor dhe qasjen ndaj qytetarëve.

Rrumbullaku mbledh vartësit, 'POROSIA': Dilni në terren! 0

Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar funksionimin e plotë të teknologjisë, planëzim më efikas të strukturave, duke shmangur prezencën e punonjësit të Policisë në semaforë; kontrollet të jenë me përzgjedhje dhe në raste të konstatimit në shkelje, jo kontroll të çdo automjeti në rrugë.

Burime për Dosja.al bëjnë të ditur se Rrumbullaku u ka dërguar një shkresë të gjitha drejtorive të qarqeve dhe shefave të komisariateve dhe ka kërkuar disiplinë pune duke rrespektuar oraret, uniformën dhe normat e sjelljes ndaj qytetarëve. Po ashtu, në ditët në vijim pritet që të ketë edhe ndryshime në radhët e policisë nga persona të cilët dyshohet se janë të lidhur me krimin.

Ditën e djeshme, Rrumbullaku mori detyrën e tij zyrtarisht në një ceremoni të zhvilluar në drejtorinë e Policisë së Tiranës. Gjatë ceremonisë së marrjes së detyrës, Rrumbullaku u zotua se do të garantojë disiplinë, frymë të re dhe komoditet për çdo punonjës policie. Drejtori i ri parashtroi dhe objektivat e tij: reformë e thellë ligjore dhe arsimore në të gjitha nivelet e organizimit të Policisë.

Ashtu siç Dosja.al informoi, Rrumbullaku u vendos në këtë detyrë pas shkarkimit të Gledis Nanos, drejtorit të mëparshëm të Policisë së Shtetit. Ky i fundit, u shfaq në median franceze, Metropole duke thënë se në Shqipëri operacionet e policisë dekonspirohen.

muhamet rrumbullaku gledis nano

Sondazh

Poll