Politike

Dyshime për Metën si bashkëpunëtor i ish-sigurimit, Sula tregon si u gjet dokumenti dhe dosja

Duke folur në emisionin "Opinion" Sula tha se ka qenë një email ai që ka vënë në lëvzije Autoritetin

8 Shtator 2022, 22:59 Nga e.k
Dyshime për Metën si bashkëpunëtor i ish-sigurimit, Sula
Gentiana Sula

TIRANË- Kreu i Autoritetit të Dosjeve Genta Sula tregoi sesi u vu në lëvizje Autoriteti i Dosjeve për rastin e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Duke folur në emisionin "Opinion" Sula tha se ka qenë një email ai që ka vënë në lëvzije Autoritetin

“Ka qenë një  e mail informal i dërguar jo vetëm tek, por edhe në adresa ambasadash, ndoshta dhe mediash. Dhe ky e – mail nuk ka dalë nga ne. Ky e -mail na tregonte lokacionin ku mund të gjendej dokumenti dhe emrin e dosjes ku mund të gjendej dokumenti”, tha Sula.

Megjithatë Sula pohoi se e maili nuk kishte emër, por disa indicje dhe një IP. Ajo tha se dërguesit të e mailit nuk i është kthyer përgjigje, por ndërkohë autoriteti kishte kërkuar në vendin e indikuar për ta verifikuar rastin.

“Informacioni ishte i rëndësishëm. Dy nga anëtarët shkuan në fond për të verifikuar rastin. Autoriteti prej 5 vetësh ka autoritet të plotë në të gjitha arkivat e rrjetit, ka fuqi të bëjë verifikime. U konstatua prania e një dokumenti, u kosntatua fakti që personi është i mbrojtur dhe për këtë arsye nga një person u kthye në fenomen”, tha Sula.

Si u bë publike çështja e ekzistencës së dosjes së Metës?

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në Shqipëri tha që ish-presidenti Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit Shtetëror në kohën e komunizmit. Meta i hodhi poshtë këto akuza duke thënë se janë të motivuara politikisht. Sipas dokumentit që Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në Shqipëri ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, kërkohet miratimi i disa ndryshimeve ligjore, të cilat më pas japin mundësinë e riverifikimit të figurave që janë pajisur me “certifikatën e pastërtisë”. Në dokument thuhet se emri i Metës (Ilir Metaj) ka rezultuar në dosjet e Sigurimit të Shtetit. Ky lajm u bë i ditur vetëm pak ditë pasi Meta përmbylli mandatin e tij 5-vjeçar si President dhe u rikthye në partinë që e kishte themeluar vetë, Lëvizjen Socialiste për Integrim, të cilës me rikthimin e tij iu ndryshua emri në Partia e Lirisë.

gentiana sula

Sondazh

Poll