Bota

Presidenca e Kosovës: BE të sanksionojë veprimet e Vuçiç

Ai në një postim në Twitter ka shkruar se Serbia mori mbështetje të plotë nga regjimi i Vladimir Putinit për veprimet përshkallëzuese të djeshme në veri të Kosovës.

1 Gusht 2022, 18:29 Nga I.A
Presidenca e Kosovës: BE të sanksionojë veprimet e
Blerim Vela

KOSOVË- Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani ka deklaruar sot Bashkimi Europian duhet t’i sanksionojë veprimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, pas zhvillimeve të fundit në veri. Ai në një postim në Twitter ka shkruar se Serbia mori mbështetje të plotë nga regjimi i Vladimir Putinit për veprimet përshkallëzuese të djeshme në veri të Kosovës.

“Është një konfirmim se si Rusia e sheh Serbinë – një instrument për ta destabilizuar Kosovën, rajonin dhe kontinentin europian. Është koha që BE-ja t’i sanksionojë veprimet e Vuçiçit”, ka shkruar ai.

Më herët gjatë ditës, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të reagojnë duke e dënuar “dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri të Kosovës”.

“I bëj thirrje faktorëve ndërkombëtarë, kryeqendrave perëndimore demokratike, Bashkimit Europian dhe NATO-s që të dënojnë dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri të Kosovës të cilat janë qartazi të nxitura, përgatitura dhe financuara nga Beogradi”, tha Kurti në një konferencë për media.

Veriu i Kosovës është përfshirë nga tensionet pasi qeveria e Kosovës paralajmëroi se duke nisur nga 1 gushti qytetarët serb që kanë makina me targa me akronime të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia, do të mund të riregjistrojnë makinat e tyre me targat RKS (Republika e Kosovës). Po ashtu, nga sot u tha se të gjithë shtetasit e Serbisë, që do të hyjnë në territorin e Kosovës, do të pajisjen me një dokument të përkohshëm të hyrje-daljes, që do të zëvendësojnë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia. Praktikë të njëjtë Serbia aplikon për shtetasit e Kosovës prej 11 vjetësh. Pas tensioneve dhe kërkesës së SHBA, Kurti vendosi shtyrjen me një muaj të këtij vendimi.

blerim vela tensione per reciprocitetin

Sondazh

Poll