Bota

Pas dorëheqjes, Draghi kërkon një pakt besimi nga koalicioni për të shpëtuar qeverinë

Duke folur në Senatin italian, fjalët e Draghi sugjerojnë se ai është i gatshëm të qëndrojë në pushtet, por vetëm nëse partitë politike të Italisë janë të gatshme t'i qëndrojnë besnikë atij dhe agjendës së tij politike.

20 Korrik 2022, 12:53 Nga d.a.
Pas dorëheqjes, Draghi kërkon një pakt besimi nga koalicioni
Mario Draghi

ITALI- Kryeministri i Italisë Mario Draghi tha sot se është gati të rindërtojë koalicionin qeverisës, duke theksuar se ai nuk mund të injorojë rritjen e mbështetjes për të për të qëndruar në pushtet.

Duke folur në Senatin italian, fjalët e Draghi sugjerojnë se ai është i gatshëm të qëndrojë në pushtet, por vetëm nëse partitë politike të Italisë janë të gatshme t'i qëndrojnë besnikë atij dhe agjendës së tij politike. Në të njëjtën kohë, ai kritikoi partitë që ai tha se po punonin për të minuar axhendën e qeverisë, duke deklaruar besnikëri ndaj koalicionit.

“E vetmja mënyrë, nëse duam të qëndrojmë së bashku, është të rindërtojmë traktatin e besimit nga e para, me guxim, altruizëm, besueshmëri”, theksoi ai, duke shtuar se është gati të mbetet kryeministër nëse qeveria e tij e koalicionit rilind.

Draghi theksoi gjithashtu se votimi i besimit të javës së kaluar, në të cilin 'Pesë Yjet' nuk morën pjesë, nuk mund të injorohej pasi tregoi se traktati i besimit mbi të cilin ishte ndërtuar qeveria e tij ishte thyer, gjë që do t'i linte derën e hapur palëve të tjera. Ai gjithashtu theksoi se është kryeministër i pazgjedhur, prandaj ka nevojë për mbështetje të gjerë.

Të mërkurën e kaluar dhashë dorëheqjen. Ky vendim pasoi rënien e shumicës së unitetit kombëtar që ka mbështetur qeverinë që në fillimet e saj. Kreu i shtetit e refuzoi dhe më kërkoi të informoja Parlamentin. Një vendim që mora. Sot më lejohet t'ju shpjegoj juve dhe italianëve këtë vendim sa i dhimbshëm aq edhe i dobishëm".-shtoi Draghi.

Draghi theksoi se Presidenti i Republikës i besoi postin e kryeministrit me synimin për të përballuar tre emergjenca: pandemike, ekonomike dhe sociale ku të gjitha partitë kryesore, me një përjashtim, vendosën t’i përgjigjen pozitivisht kësaj thirrjeje.

"Në fjalimin që mbajta në këtë sallë iu referova bashkimit kombëtar, i cili muajt e fundit ka qenë garancia më e mirë. Besoj se një kryeministër që nuk ka dalë kurrë para votuesve duhet të ketë konsensusin më të gjerë”, -vijoi ai.

Qëndrimi i tij në qeveri do të vijë si një lehtësim për aleatët evropianë të Italisë dhe Bankën Qendrore Evropiane, të cilët kanë frikë se Italia do të zhytet në një periudhë jostabiliteti politik në një kohë të ndjeshme për rajonin. Mario Draghi dha dorëheqjen e tij javën e kaluar pasi lëvizja populiste 5 Yjet refuzoi të mbështeste koalicionin qeverisës në një votëbesim. Presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, nuk e pranoi dorëheqjen e kryeministrit.

dorehiqet mario draghi

Sondazh

Poll