Aktualitet

Kthimi i pasaportave diplomatike për gjyqtarët, GJL: Qeveria shkeli ligjin

Në vendim shkruhet se Gjykata e Lartë thotë se Qeveria hoqi të drejtën e përfitimit financiar të përballimit të pagesës për pajisjen me pasaportë shërbimi nga buxheti i institucionit, ku gjyqtari ushtron detyrën.

6 Korrik 2022, 09:45 Nga F.M
Kthimi i pasaportave diplomatike për gjyqtarët, GJL: Qeveria shkeli
Foto Ilustruese

TIRANË- Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin e marrë në maj të këtij viti, që iu dha të drejtë gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të Apelit dhe u ka rikthyer pasaportat diplomatike dhe ato të shërbimit. Sipas vendimit të zbardhur, Këshilli i Ministrave, të cilit i është deleguar nga ligjvënësi pushteti për të nxjerrë aktin nënligjor normativ për të pajisur me pasaporta diplomatike dhe shërbimi disa funksionarë publikë, ka cënuar haptazi dhe pa asnjë arsye të përligjur një të drejtë të fituar më parë prej tyre. Në vendim shkruhet se Gjykata e Lartë thotë se Qeveria hoqi të drejtën e përfitimit financiar të përballimit të pagesës për pajisjen me pasaportë shërbimi nga buxheti i institucionit, ku gjyqtari ushtron detyrën.

Pjesë nga vendimi:

Duke iu rikthyer rastit në shqyrtim konstatohet se Këshilli i Ministrave, të cilit i është deleguar nga ligjvënësi pushteti për të nxjerrë aktin nënligjor normativ për të pajisur me pasaporta diplomatike dhe shërbimi disa funksionarë publikë, ka ometuar në rregullimin e kësaj situate për gjyqtarët, duke cenuar haptazi dhe pa asnjë arsye të përligjur një të drejtë të fituar më parë prej tyre. Në VKM nr. 389/2019, në Lidhjen 2, janë renditur subjektet që kanë të drejtë të pajisen me pasaporta shërbimi, duke mos u përfshirë gjyqtarët, të cilët , për shkak të funksionit, e kishin fituar këtë të drejtë, sipas rregullimit të mëparshëm. Mosparashikimi në aktin normativ, pa një arsye të përligjur të të drejtës së gjyqtarëve për t’u pajisur me pasaportë shërbimi është një ometim ligjor që vlerësohet nga Kolegji se ka cenuar standardin “përfitime të tjera”, në referim edhe të konceptit kushtetues të “të drejtave të fituara”.’

Kolegji konstaton se VKM nr. 335/1997 parashikonte të drejtën për t’u pajisur me pasaportë shërbimi, si edhe të drejtën që pajisja me pasaportë të realizohej me shpenzimet e institucionit. Pra, në këtë rast, VKM nr. 389/2019 ka cenuar statusin e gjyqtarëve në dy elemente: së pari, në heqjen e së drejtës për t'u pajisur me pasaportë shërbimi dhe për rrjedhojë pamundësinë për të gëzuar të gjitha përfitimet që sjell ky dokument shtetëror identifikimi; së dyti, heqjen e përfitimit financiar të përballimit të pagesës për pajisjen me pasaportë shërbimi nga buxheti i institucionit, ku gjyqtari ushtron detyrën. Për rrjedhojë, Kolegji vlerëson se heqja e këtyre të drejtave, të cilat nuk mund të preken pa një arsye të përligjur, vjen në kundërshtim me nenin 22 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, gjë e cila prek drejtpërdrejt statusin e gjyqtarit.

Në maj të këtij viti u dha vendimi. Pas dy vitesh betejë gjyqësore, shoqata e gjyqtarëve fitoi me vendim të gjykatës së lartë të drejtën për tu pajisur me pasaporta diplomatike dhe shërbimi. Qeveria u hoqi atyre në janar 2020 këtë privilegj, ndërsa padia u bë në gjykatë nga shoqata e gjyqtarëve përfaqësuar nga gjyqtari Erion Bani. Bani dërgoi rekurs në Gjykatën e Lartë e cila u dha atyre të drejtë. Heqja e pasaportave diplomatike për 350 persona, gjyqtarë e ish-deputetë që u kishte mbaruar mandati u mor nga ministri në detyrë i asaj kohe në Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

gjykata e larte

Sondazh

Poll