Bota

Ish-ambasadorja e Kosovës Çitaku: S’kemi aleat si SHBA-ja por nuk mjaftojnë vetëm fjalët

Në këtë 4 korrik që shënon 246 vjetorin e Pavarësisë amerikane, thotë se “Kosova nuk ka aleat më të besueshëm se SHBA-të”. Gjithsesi, vëren Çitaku, “kjo përkrahje amerikane nuk duhet të merret si e mirëqenë”.

4 Korrik 2022, 17:57 Nga d.a.
Ish-ambasadorja e Kosovës Çitaku: S’kemi aleat si SHBA-ja por
Vlora Çitaku

KOSOVË- Kosova njihet si një nga vendet më pro amerikane në botë, por ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, thotë se thjesht ta deklarosh këtë gjë nuk mjafton.

Duke folur për Albanian Post, në këtë 4 korrik që shënon 246 vjetorin e Pavarësisë amerikane, thotë se “Kosova nuk ka aleat më të besueshëm se SHBA-të”. Gjithsesi, vëren Çitaku, “kjo përkrahje amerikane nuk duhet të merret si e mirëqenë”.

“Ne duhet ta ushqejmë dhe mirëmbajmë çdo ditë, me vepra, jo me fjalë e retorikë boshe”, deklaron ajo për Albanian Post.

Sa për vetë ditën e 4 korrikut, ish-ambasadorja kosovare në Uashington, pohon se “është dita që shënon jo vetëm Pavarësinë e SHBA-ve, por edhe ngadhënjimin e së drejtës mbi tiraninë, por edhe fillimin e ndërtimit të një bote të re e cila në thelb ka idealet e lirisë, demokracisë dhe të drejtës së pakontestueshme të individit për të kërkuar lumturinë”.

Për Çitakun “jashtëzakonshmëria e Amerikës qëndron në faktin se SHBA ka fuqinë për të frymëzuar, dhe mundësinë për të ndërhyrë në mbrojtje të vlerave universale”.

Një nga këto ndërhyrje ishte edhe në Kosovë, kur NATO me shtyrje amerikane u përfshi në luftën e Kosovës, duke bombarduar caqet militare të Serbisë.

Pas 72 ditësh bombardime, Serbia u dorëzua dhe Kosova vazhdoi tutje deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.

Edhe për deklarimin e pavarësisë së Kosovës, rol krucial kishte SHBA-ja.

Burokracia evropiane dhe vendimet në shumë nivele e kishin bllokuar procesin, por ishte presidenti i atëhershëm amerikan, George W. Bush, i cili në një vizitë në Tiranë pati thënë se “mjaft është mjaft, Kosova duhet të shpallet e pavarur”./Albanian Post/

vlora çitaku ditelindja e shba

Sondazh

Poll