Politike

Dosja 'Babale'/ Alibeaj mesazh deputetëve për gjyqin ndaj Salianjit: është detyrim të jemi në sallë

Në një mesazh, Alibeaj shkruan se ata e kanë detyrim politik e moral që të paraqiten në sallë.

2 Korrik 2022, 20:05 Nga I.A
Dosja 'Babale'/ Alibeaj mesazh deputetëve për gjyqin
Enkelejd Alibeaj

TIRANË- Deputeti Enkelejd Alibeaj u ka kërkuar deputetëve demokratë që të jenë të pranishëm në gjyqin ndaj kolegut të tyre Ervin Salianji në lidhje me çështjen me vëllain e ish-ministrit Fatmir Xhafaj. Në një mesazh, Alibeaj shkruan se ata e kanë detyrim politik e moral që të paraqiten në sallë. Po ashtu këtë proces gjyqësor, Alibeaj e ka cilësuar si një orkestrim hakmarrës të qeverisë.

Mesazhi i Alibeaj:

Përshëndetje kolegë! Ndoshta jeni ne dijeni që te hëne, date 4 korrik ora 2 ne Gjykatën e Apelit zhvillohet gjyqi nga kolegut Salianji. Siç dihet dhe siç është bere publike, e gjithë ngjarja dhe procesi gjyqësor vijues janë një orkestrim hakmarrës politik i pastër nga qeveria dhe eksponentë  politike te mazhorancës. Është detyrim se pari njerëzor e pastaj edhe politik qe se paku deputetet tanë anëtare të Komisionit të Sigurisë të jemi te pranishëm ne sallë ditën dhe orën e gjyqit.

Çfarë është dosja “Babale”?

Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin “Babale”.

Në përgjimet e publikuara por edhe në të tjera që Prokuroria dispononte, Alizoti komunikonte me asokohe shefin e Polisisë së Fierit, Albert Nushin (emri i del edhe tek vrasja e Pjerin Xhuvani) për shpërblime/pako që duhet të merrte, e gjithashtu flitej edhe për një “shef të madh”. Ekspertët e huaj vlerësuan se zëri në përgjime ishte i ngjashëm me atë të Geron Xhafës. Por ekspertiza nuk mund ta thoshte me siguri për shkak të cilësisë së audio-regjistrimit.

Gjykata Penale dënoi me 1 vit burg deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji për akuzën e “kallëzimit të rremë”, në lidhje me dosjen “Babalja”. Bashkë me Salianjin u dënuan edhe personat e tjerë të përfshirë në këtë dosje. Fredi Alizoti, (i njohur si kunati i Babales), u dënua me 2 vite burg për kallëzim të rremë, Albert Veliu, i njohur ndryshe edhe si “Babalja” u dënua me 3 vite e 5 muaj burg, ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 5 muaj burg, që iu konvertua në 100 orë punë në komunitet.

enkelejd alibeaj ervin salianji dosja babale

Sondazh

Poll