Politike

Maturantët protestojnë për provimin e Biologjisë, Kushi: Testi s'ka asnjë gabim shkencor!

Kushi shprehet se pyetjet u hartuan sipas niveleve të vështirësisë, për të diferencuar secilën notë

27 Qershor 2022, 09:57 Nga A.B
Maturantët protestojnë për provimin e Biologjisë, Kushi:
Evis Kushi

TIRANË- Ministrja e Arsimit, Evis Kushi deklaron se testi i biologjiksë nuk ka pasur asnjë gabim shkencor. Përmes një video mesazhi, ministrja u drejtohet maturantëve të cilët janë revoltuar për testin që kryen disa ditë më parë. Kushi shprehet se pyetjet u hartuan sipas niveleve të vështirësisë, për të diferencuar secilën notë, e për të mos penalizuar as nxënësit e shkëlqyer, por për të vlerësuar të gjithë sipas punës e meritës.

MESAZHI I EVIS KUSHIT:

Të dashur maturantë, Siç ju premtuam, menjëherë pas provimit të biologjisë u angazhuam maksimalisht me mësuesit dhe ekspertët më të mirë, për të vlerësuar testin dhe për të marrë të gjitha masat e nevojshme që secili prej jush të ketë vlerësim të drejtë, sipas nivelit të arritjeve. Ju konfirmoj që testi nuk ka asnjë gabim shkencor dhe pyetjet janë hartuar sipas niveleve të vështirësisë, për tëdiferencuar secilën notë, e për të mos penalizuar as nxënësit e shkëlqyer, por për të vlerësuar të gjithë sipas punës e meritës.

Nisur nga shqetësimet tuaja, kemi punuar ditë e natë me mësuesit vlerësues për të garantuar shpalljen e rezultateve, me cilësi të lartë dhe në kohë sa më të shpejtë.

Jam shumë e kënaqur që shumë prej jush kanë shkëlqyer, madje edhe përtej pritshmërive, duke vërtetuar që testi ka qenë një matës i mirë i përgatitjes së gjithsecilit. Tashmë rezultatet janë të publikuara në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe secili prej jush mund të gjejë vlerësimin e testit të tij. Sot gjatë ditës do të publikoj edhe disa teste të maturantëve që janë përgjigjur saktë dhe kanë marrë pikët maksimale. Ju uroj të gjithëve shumë suksese në vazhdimin e rrugëtimit tuaj drejt dijes!

Maturantët paralajmëruan protestë ditën e sotme për shkak të testit të Biologjisë, mirëpo kjo u anulua pak orë më pas. Mesa duket, rezultatet e provimit të Biologjisë, bënë që të rinjtë të reflektonin e të kuptonin se rezultatet e tyre nuk ishin dhe aq të këqija. Kalueshmëria për këtë provim është 96.16% ndërsa nota mesatare është 7.52.

evis kushi

Sondazh

Poll