Aktualitet

Plagosja e Johan Muçllarit në Pogradec, vihet në pranga një prej autorëve, në kërkim tjetri

Autori tjetër i plagosjes së Johan Muçllarit, Firdeus Berberi është ende në kërkim.

25 Qershor 2022, 10:54 Nga A.B
Plagosja e Johan Muçllarit në Pogradec, vihet në pranga
Johan Mucllari

POGRADEC- Griseld Maxhari është arrestuar nga policia. 22-vjeçari, banues në Pogradec, ishte në kërkim që nga muaji prill pasi dyshohet se ka plagosur Johan Muçllarin, pronarin e Hotel Volorekës. Forcat blu sqarojnë se Maxhari do të akuzohet për veprat penale "Vrasja me dashje" kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë; "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit"; "Prishja e qetësisë publike". Ndërkohë, autori tjetër, Firdeus Berberi është ende në kërkim.

NJOFTIMI I POLICISË:

“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin e datës 29.04.2022, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Vrasja me dashje" kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë; "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit"; "Prishja e qetësisë publike". Ndalimi i shtetasit G. M., lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 25.04.2022, në qytetin e Pogradecit, ku 22-vjeçari në bashkëpunim me shtetasin F. B., (i shpallur në kërkim) tentuan të vrisnin me armë zjarri tip pistoletë shtetasin J. M., 22 vjeç, banues në Pogradec”

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e 25 prillit, por Johan Muçllari u paraqit vetë në spitalin e Pogradecit dhe para bluzave të bardha rrëfeu se dy persona i kishin bërë atentat. Ai kishte marrë një plumb në këmbë e një plagë të shkaktuar nga thika rrëzë qafës. Por ky nuk është atentati i parë që kryhet ndaj familjes Muçllari! Gjatë vitit 2020, Jetmir Muçllari ka denoncuar se kanë tentuar disa herë që ta eliminojnë atë dhe djemtë e tij, ndaj dhe ka kërkuar mbrojtje nga Policia e Shtetit. Në vetëm 7 ditë hotel “Voloreka” në pronësi të Jetmir Muçllari, u godit dy herë në datat 1 dhe 8 gusht në Pogradec. Për ngjarjen, Policia arrestoi gjithsej 7 persona të cilët janë: Meard Berberi, Anterio Kaloshi, Ervin Kalaja, Ilir Berberi, Ilir Meçolli, Ardian Xhuti, Elvir Haxhia dhe Mariglen Topuzi. Ilir Berberi së bashku me vëllain e tij, Meard Berberin akuzohen se janë personat që kanë organizuar atentatet. Anterio Kaloshi ka qenë në rolin e ekzekutorit.

Cila është arsyeja e këtyre sulmeve të njëpasnjëshme?

Gjithçka ka nisur pasi autorët nuk kanë dashur që pronari i hotelit, Jetmir Muçollari të dëshmonte në një seancë gjyqësore, por kur kanë hasur rezistencën e tij, kanë organizuar sulmin me armë. Në atentatin e datës 8 gusht ata kishin si synim të vrisnin djalin e pronarit të hotelit. Autorët qëlluan në drejtim të godinës, por fatmirësisht pati vetëm dëme materiale. Edhe në vitin 2013, Muçllari është qëlluar me armë nga Edmond Fezollari, por ia doli që të mbijetonte. Vetë biznemseni ka bërë shumë herë thirrje publikisht dhe ka kërkuar që të ndihmohet nga shteti, por ngjarjet e njëpasnjëshme tregojnë se nga vdekja i ka shpëtuar fati. E mesa duket ndjenja e hakmarrjes është transmetuar edhe tek fëmijët e tyre. 

johan muçllari griseld maxhari firdeus berberi

Sondazh

Poll