Aktualitet

45.5 kg kokainë me ‘Gokun’ në Durrës, zbulohet itinerari i anijes, ndaloi edhe në Greqi

Më datë 12 qershor anija e nisur nga Brazili mbërriti në portin e Pireut, Greqi dhe më 13 është nisur nga ky port për në Shqipëri.

16 Qershor 2022, 09:40 Nga A.B
45.5 kg kokainë me ‘Gokun’ në Durrës, zbulohet
Porti i Durresit

DURRËS- Itinerari i anijes me kontejnerët “Contship Eco”, në të cilën u zbuluan mbi 45 kg kokainë në Portin e Durrësit, është zbardhur. 

Më datë 12 qershor anija e nisur nga Brazili mbërriti në portin e Pireut, Greqi dhe më 13 është nisur nga ky port për në Shqipëri. Anija me flamur liberian, kishte destinacion Maqedoninë e Veriut. 

Sot në pranga janë vënë dy persona: Arben Ferizi, administratori i kompanisë, që porositi mishin e pulës nga Brazili dhe agjenti doganor në Portin e Durrësit, i kontraktuar nga kompania, Egert Vargu.

Mbrëmjen e djeshme, Dosja.al raportoi e para për kapjen e 45.5 kilogramë kokainë e ndarë në 40 pako në Portin e Durrësit. Lënda narkotike ishte e fshehur në një kontejner që vinte nga Brazili, i ngarkuar me mish pule. Secila pako peshonte nga 800-1400 gramë. Kamioni pasi u ndalua e pas kontrollit në skander është zbuluar se brenda kishte drogë që për destinacion kishte Maqedoninë e Veriut. Ngarkesa me mish po kalonte tranzit në Shqipëri dhe do të zbrazej në magazinën e një firme private në vendin fqinj. Droga mban të stampuar dy personazhë të filmit të animuar ‘Dragon Ball’, konkretisht personazhet ‘Goku’ dhe ‘Buda’, gjë që nënkupton se pritës të lëndës narkotike mund të kenë qenë dy persona.

45.5 kg kokaine ne durres

Sondazh

Poll