Aktualitet

Kokaina në konteinerin me mish pule, arrestohet administratori dhe agjenti doganor i kompanisë

Dy të arrestuar pas kapjes së sasisë së kokainës në Portin e Durrës.

16 Qershor 2022, 09:04 Nga A.B
Kokaina në konteinerin me mish pule, arrestohet administratori dhe agjenti
Kokaina e zbuluar në Durres

DURRËS- Dy janë personat e arrestuar nga policia e shtetit si përgjegjës për sasinë e kokainës e cila u zbulua mbrëmjen e djeshme në Portin e Durrësit. Dosja.al raportoi e para për operacionin anti-drogë të koduar “Tranziti”, në të cilën u sekuestruan 45.5 kg kokainë në një kontejner në Portin e Durrësit që vinte nga Brazili. 

Në pranga është vënë, 30-vjeçari Arben Ferizi, banues në Prishtinë, me detyrë administrator në kompaninë që kishte porositur ngarkesën e mishit të pulës në Brazil si dhe Egert Vargu, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë agjent doganor i kontraktuar nga kjo kompani. Dy të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

NJOFTIMI I POLICISË:

Vijon operacioni policor antidrogë i koduar “Tranziti”, gjatë të cilit, mbrëmjen e datës 15 qershor 2022, Policia sekuestroi 45.5 kg lëndë të dyshuar narkotike kokainë në një kontenier në Portin e Durrësit. Pas hetimeve të thelluara nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vihen në pranga administratori i kompanisë dhe një agjent doganor i kontraktuar nga kjo kompani. Në vijim të veprimeve për zbardhjen e tentativës për trafikim të një sasi të madhe të kokainës që vinte tranzit nga Brazili për në Maqedoninë e Veriut, e cila u kap falë informacioneve që dispononte Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, si rezultat i veprimeve të thelluara, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, i shtetasve: – A. F., 30 vjeç, banues në Prishtinë, me detyrë administrator në kompaninë që kishte porositur ngarkesën e mishit të pulës në Brazil; E. V., 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë agjent doganor i kontraktuar nga kjo kompani.

Mbrëmjen e djeshme, në Portin e Durrësit, Task Forca që vepron 24/7 në Portin e Durrësit, e cila përbëhet nga Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe nga autoritetet doganore të Portit, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut dhe në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë, bazuar në informacionet që dispononte Policia Kriminale e DVP Durrës, ka ushtruar kontroll të detajuar në një kontenier të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.

Mbrëmjen e djeshme, Dosja.al raportoi e para për kapjen e 45.5 kilogramë kokainë e ndarë në 40 pako në Portin e Durrësit. Lënda narkotike ishte e fshehur në një kontejner që vinte nga Brazili, i ngarkuar me mish pule. Secila pako peshonte nga 800-1400 gramë. Kamioni pasi u ndalua e pas kontrollit në skander është zbuluar se brenda kishte drogë që për destinacion kishte Maqedoninë e Veriut. Ngarkesa me mish po kalonte tranzit në Shqipëri dhe do të zbrazej në magazinën e një firme private në vendin fqinj. Droga mban të stampuar dy personazhë të filmit të animuar ‘Dragon Ball’, konkretisht personazhet ‘Goku’ dhe ‘Buda’, gjë që nënkupton se pritës të lëndës narkotike mund të kenë qenë dy persona.

45.5 kg kokaine ne durres

Sondazh

Poll