Aktualitet

Harta e re gjyqësore/ Greva e avokatëve, Manja: Bojkotimi i gjyqeve nuk i shërben askujt

Manja deklaron se janë marrë në konsideratë disa nga sygjerimet e avokatëve e se pret reflektim nga ana e tyre për të vazhduar normalisht punën. 

13 Qershor 2022, 14:32 Nga DOSJA
Harta e re gjyqësore/ Greva e avokatëve, Manja: Bojkotimi i gjyqeve
Ulsi Manja

TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kërkon reflektim nga ana e Dhomës së Avokatisë, e cila ka marrë vendimin për bojkot të seancave gjyqësore për shkak të hartës së re gjyqësore. Manja deklaron se janë marrë në konsideratë disa nga sygjerimet e avokatëve e se pret reflektim nga ana e tyre për të vazhduar normalisht punën. 

“Avokatët janë grup interesi i rëndësishëm që garantojnë mbarëvajtjen e procesit të rregullt ligjor në zinxhirin e sistemit të drejtësisë dhe si të tillë janë konsultuar me draftin e hartës gjyqësore gjatë fazës së konsultimit publik. Janë marrë në konsideratë disa sugjerime me vlerë që kanë ardhur edhe nga avokatia, të cilat janë reflektuar në draft, por riorganizimi gjyqësor është përgjegjësi e Këshillit të Lartë Gjyqësor si qeveri e gjyqësorit dhe e Ministrisë së Drejtësisë. Harta e re gjyqësore, referuar standardeve evropiane, zbatimit të ligjeve të reja të Reformës në Drejtësi dhe gjendjes së sistemit të drejtësisë, krijon balancën e duhur mes aksesit të qytetarëve te drejtësia dhe efiçencës së sistemit gjyqësor. Ajo që ne presim nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe çdo avokat është që të kontribuojnë në zbatimin e hartës së re gjyqësore pasi ajo të miratohet në Qeveri dhe të hyjë në fuqi. Bojkotimi i seancave gjyqësore nuk është zgjidhja e duhur dhe nuk i shërben askujt, as sistemit të drejtësisë, as avokatëve dhe aq më pak interesave të qytetarëve që mbrohen prej tyre. Si njerëz të ligjit, unë besoj se avokatët do të reflektojnë në vendimin e tyre pasi zbatimi i ligjit është emëruesi i përbashkët i yni dhe që i shërben drejtësisë dhe interesit publik”, deklaroi Manja për ATSH.

Nga nesër avokatët do të futen në grevë. Kreu i dhomës së avokatisë, Maks Haxhia deklaroi se avokatët do të bojkotojnë seancat gjyqësore për katër ditë, pasi kundërshtojnë hartën e re gjyqësore, që sipas tij është fyese për to.

Me hartën e re gjyqësore, reformën më të thellë të reduktimit të gjykatave e pësojnë gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm që mbyllen të gjitha dhe mblidhen të gjitha në një gjykatë apelit me seli në Tiranë. Shkrihen 4 gjykata Administrative dhe ngelen vetëm dy, një në Lushnje dhe një në Tiranë. Gjykata të Shkallës së Parë mbeten vetëm 13. Si pasojë e rishpërndarjes shkrihen gjykatat e Tropojës, Pukës, Matit, Kurbinit, Kavajës, Krujës, Lushnjes, Pogradecit, Përmetit. Përpara se të miratohet me Vendim të Këshillit të Ministrave ky vendim i KLGJ, pritet ti kalohet  KLP-së, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Financave

 

harta e re gjyqesore ulsi manja

Sondazh

Poll