Aktualitet

Numrat e telefonit të shqiptarëve për shitje, Komisioneri për të Drejtën e Informimit: Do nisim hetim

Zyra e komisionit u bën thirrje të gjitha organeve që ushtrojnë veprimtarinë në këtë sektor që të tregohen të vetëdijshme për detyrimin e respektimit të kësaj të drejte individuale.

13 Qershor 2022, 13:49 Nga A.B

Numrat e telefonit të shqiptarëve për shitje, Komisioneri

TIRANË- Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale do të ndërmarrë hetim administrativ duke kërkuar bashkëpunimin e çdo institucioni përgjegjës për qartësimin e rrethanave të çështjes, në lidhje me rrjedhjen e numrave të telefonit të 3 milionë shqiptarëve. Përmes një reagimi zyrtar, zyra e komisionit u bën thirrje të gjitha organeve që ushtrojnë veprimtarinë në këtë sektor që të tregohen të vetëdijshme për detyrimin e respektimit të kësaj të drejte individuale.

REAGIMI I PLOTË:

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si autoriteti mbikëqyrës i legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, vlerëson me seriozitet çdo rast të cenimit/shkeljes të kësaj të drejte dhe lirie themelore të njeriut.Zyra e Komisionerit është vënë në dijeni nga informacionet e publikuara në media, për shitjen në internet të një baze të dhënash në përmbajtje të të cilës ka gjeneralitete, numra telefoni dhe vendin e punës për 3 milionë qytetarë.Në mbështejte të nenit 35 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara në ligjin nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, Zyra e Komisionerit do të ndërmarrë një hetim administrativ, si dhe do të kërkojë bashkëpunimin e çdo institucioni përgjegjës për qartësimin e rrethanave të çështjes.Duke vlerësuar rolin e medias për ekspozimin e fenomeneve negative, Zyra e Komisionerit u bën thirrje të gjitha organeve që ushtrojnë veprimtarinë në këtë sektor (audio/vizive, të shkruara, online) që të tregohen të vetëdijshme për detyrimin e respektimit të kësaj të drejte individuale. Ushtrimi i të drejtës së lirisë së shprehjes nuk është i pakufizuar dhe në çdo rast, realizohet në mënyrë të balancuar dhe proporcionale me të drejtat dhe liritë e tjera themelore të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, apo në aktet ndërkombëtare ku vendi ynë është palë (Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Konventa 108 “Për mbrojtjen e individëve nga përpunimi automatik i të dhënave personale” të Këshillit të Evropës, etj).“Interesi më i lartë publik” ka përparësi mbi çdo përpjekje për ta kthyer këtë situatë në një lojë shumë të rrezikshme për cenimin e privatësisë dhe të dhënave personale të qytetarëve. Nga ana tjetër, opinioni publik duhet të tregoj kujdes të shtuar dhe të jetë i ndërgjegjësuar për të refuzuar përfshirjen në përdorimin/përhapjen e paligjshme të kësaj baze të dhënash nëpërmjet çdo mjeti e forme të komunikimit masiv.

Ditën e djeshme u bë publike skandali me rrjedhjen e numrave të telefonit të tre milionë shqiptarëve. Numrat janë reklamuar në një faqe në internet për t’u shitur. 4.000 dollarë është çmimi për blerjen e 3 milion të dhënave për numrat shqiptarë të telefonisë mobile. 1.500 dollarë nëse do të blesh të dhënat e 1 milion numrave, 1.000 dollarë për 500.000 numra dhe vetën 350 dollarë për 100.000 numra.

skandali me numrat e telefonit

Sondazh

Poll