Aktualitet

HARTA- Rrufeja shkakton një viktimë! Moti i keq pushton vendin, bie shi sa për 2 muaj

Moti i keq ka shkaktuar një viktimë në Malësinë e Madhe. Arben Ivanaj, ka vdekur pasi ka rënë rrufeja dhe ka marrë flakë banesa. Në pjesën tjetër të vendit ka pasur përmbytje këtu. Për 30 minuta mesatarisht sot ka rënë sasi reshjesh e barabartë me 2 muaj në kryeqytet.

9 Qershor 2022, 15:28 Nga I.A
HARTA- Rrufeja shkakton një viktimë! Moti i keq pushton vendin, bie
Pamje nga Tirana

TIRANË- Moti i keq ka marrë një jetë në Shqipëri. Në Malësinë e Madhe, në fshatin Dedaj të Shkrelit ka ndërruar jetë Arben Ivanaj. 50-vjeçarit i ka rënë rrufeja në shtëpi, e si pasojë i ka marrë flakë banesa, ndërsa Ivanaj ka ndërruar jetë brenda. Viktima po qëndronte në banesën e komshiut të tij, ndërsa grupi hetimor i Policisë është nisur drejt vendit të ngjarjes për të hetuar në lidhje me ngjarjen e rëndë.

Shkarkesat elektrike dhe reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme edhe në pjesën tjetër të vendit. Sipas të dhënave zyrtare të bëra me dije nga Prefekti i Tiranës, Afrim Qendro, në vendin tonë, për 30 minuta mesatarisht sot ka rënë sasi reshjesh e barabartë me 2 muaj, ose e përllogaritur ndryshe 22 litra për metër katror. Reshjet kanë nxjerrë nga shtrati Lumin Lana në kryeqytet, ndërsa në disa zona si; Pallati me Shigjeta, Ndroqi, Astiri, etj. rrugët janë përmbytur duke shkaktuar kaos edhe në trafik.

Prefekti i Tiranës, Afrim Qendro ka sqaruar në Report Tv situatën e shkaktuar nga moti i keq në Bashkinë e Tiranës, duke u shprehur se të gjitha ekipet e emergjencave kanë dalë në terren për normalizimin e situatës. Por situatë e ngjashme nga shirat është krijuar edhe në Gramsh, Shkodër, Vlorë, Kavajë, Vorë, e në shumë qytete të tjera të vendit. Ndërsa probleme ka pasur edhe me furnizimin me energji elektrike.  Zona të ndryshme në Tiranë, kanë pasur probleme me furnizimin me energji, ndërsa Policia e Shtetit gjithashtu doli me një thirrje ku kërkonte që të gjithë të fiknin dritat. Kjo pasi sipas tyre, pjesa më e madhe e aparaturave ishte nën ujë, e mund të kishte probleme për pajiset elektrike për shkak të luhatjeve që mund të krijojë tensioni.  

moti i keq ne shqiperi arben ivanaj

Sondazh

Poll