Aktualitet

Refugjatët afganë ngrihen në protestë në Shëngjin, shoqatat s’u kanë paguar shpenzimet

Afganët pretendojnë se një nga 5 organizatat të cilat financojnë qëndrimet e tyre në Shqipëri, nuk kanë paguar detyrimet e hotelit

1 Qershor 2022, 12:13 Nga DOSJA
Refugjatët afganë ngrihen në protestë në Shëngjin,
Foto ilustruese

LEZHË- Afganët e strehuar në Shëngjin kanë dalë ditën e sotme në protestë. Ata kërkojnë mbulimin e shpenzimeve të qëndrimit të tyre në vend. Afganët pretendojnë se një nga 5 organizatat të cilat financojnë qëndrimet e tyre në Shqipëri, nuk kanë paguar detyrimet e hotelit, ku ato qëndrojnë që prej muajit janar.

Për kërkesën e tyre është kërkuar ndihma e shtetit pasi asnjë nga organizatat nuk ka marrë përsipër shpenzimet. Afganët thonë se nuk e dinë cila është e ardhmja e tyre.

“Ne jemi këtu prej shumë muajsh, ndërsa nuk kemi asnjë të dhënë se çfarë do të ndodhe me ne për të ikur në SHBA, ose në Kanada. Një organizatë nuk ka paguar prej disa muajsh. Ne jemi me familjet këtu ne kemi fëmijë, dhe na duhen edhe medikamente të ndryshme, nuk e dimë çfarë do të bëhet me ne,"- thotë një grua afgane.

Bledar Shima, administratori i resortit ka pranuar problemin financiar me një prej shoqatave që nuk paguan prej janarit për akomodimin e këtyre shtetasve, por ka përjashtuar mundësinë e nxjerrjes së tyre në rrugë.

“Kemi një problem financiar me një prej fondacione dhe po bashkëpunojmë që të gjejmë një rrugë të përbashkët për pagesën, por nuk kemi marrë asnjë vendim për t’i nxjerrë forcërisht. Pagesat nuk janë bërë prej janarit,”- ka bërë me dije administratori i resortit.

Rreth 2,400 afganë erdhën në muajin gusht në Shqipëri, 1,500 prej tyre në Shëngjin pjesa tjetër në Durrës. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, së bashku me Kanadanë u ofruan të strehojnë bashkëpunëtorët afganë të amerikanëve, strehim për një kohë të pacaktuar.

Akomodimi i afganëve në Shqipëri mundësohet nga rreth 12 organizata amerikane për të cilat disa prej afganëve kanë punuar dhe në Afganistan si National Endowment for Democracy, fondacioni Yalda Hakim, NED, Vital Voices etj… Shumë janë larguar, shumica janë ende në pritje të daljes së vizave me destinacion final, SHBA ose Kanada.

(k.m/dosja.al)

Sondazh

Poll