Bota

'Ai jeton me mite, u betua si paraardhësit', vijnë reagimet e para pasi Vuçiç tha se Kosova do të mbetet Serbi

Reagimi i parë ka ardhur nga ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku e cila shprehu habinë e saj për deklaratën e Vuçiç.

31 Maj 2022, 14:09 Nga DOSJA
'Ai jeton me mite, u betua si paraardhësit', vijnë reagimet
Vlora Çitaku

KOSOVË- Pas deklaratës së presidentit serb Aleksandër Vuçiç gjatë betimit të tij se do të ruante sovranitetin dhe tërësinë e territorit duke përfshirë dhe Kosovën, kanë ardhur dhe reagimet e para.

Reagimi i parë ka ardhur nga ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku e cila shprehu habinë e saj për deklaratën e Vuçiç.

Gjatë ceremonisë së dhënies së betimit, presidenti i Serbisë ka thënë se do të luftoj që ta ruaj Kosovën si pjesë të Serbisë. Në cilën botë jeton ai?”, shkroi ajo në Twitter.

Ndërkohë ndaj këtyre deklaratave ka reaguar dhe ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Envel Hoxhaj i cili tha se Vuçiç ka bërë betimin njësoj si paraardhësit e tij.

Kosova kurrë nuk do të jetë pjesë e Serbisë. Betimi i Vuçiçit, jo vetëm që është jo i vërtetë dhe i parealizueshëm, por ai po dërgon mesazhe negative gjithë rajonit se Serbia edhe më tutje jeton në mite”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Aleksandër Vuçiç është betuar si president i Serbisë, duke filluar mandatin e tij të dytë presidencial, pas zgjedhjeve të 3 prillit ku fitoi raundin e parë të zgjedhjeve të rregullta presidenciale me 58,59 për qind të votave të përgjithshme. Duke mbajtur dorën e djathtë mbi Kushtetutën e Serbisë dhe Ungjillin e Miroslavit, Vuçiç bëri edhe betimin pjesë e së cilës përfshiu edhe Kosovën.

Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë, të cilën Serbia ende nuk e njeh. Nën patronazhin e Bashkimit Evropian, Beogradi dhe Prishtina nënshkruan Marrëveshjen e Brukselit, në vitin 2013, për t’i hapur rrugën normalizimit të marrëdhënieve mes dy palëve.

(d.a/dosja.al)

Sondazh

Poll