Bota

Intervista/ Kur Esad Pasha i kërkonte Woodrow Willson-it që t'i vinte në ndihmë kundër austriakëve

Esad Pasha i kërkon Amerikës që t’i vijë në ndihmë Shqipërisë.

30 Maj 2022, 08:20 Nga DOSJA
Intervista/ Kur Esad Pasha i kërkonte Woodrow Willson-it që t'i
Foto ilustruese

FRANCË-The New York Herald” ka botuar, të premten e 30 gushtit 1918, në faqen n°4, thirrjen e Esad Pashë Toptanit ndaj presidentit amerikan Woodrow Wilson që t’i vinte asokohe në ndihmë kundër austriakëve, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : Esad Pasha i kërkon Amerikës që t’i vijë në ndihmë Shqipërisë. I bën thirrje presidentit Wilson që të ndihmojë në heqjen e zgjedhës austriake.


Esad Pasha, gjenerali shqiptar, ndodhet tani në Paris. I takuar nga një korrespondent i Herald-it, gjenerali tha :

Situata në Shqipëri është e favorshme. Mund të përmirësohet. Tre vjet më parë isha kryetar i qeverisë shqiptare dhe mandati im u shënua nga rendi më i mirë në Shqipëri. Njerëzit tanë janë plot guxim. Vendi ynë është kopshti i Evropës dhe ne e ndjejmë tmerrësisht që pjesa më e madhe është në duart e Austrisë, rreth 50.000 apo 60.000 burra. Unë kam vetëm dy regjimente nën komandën time. Njerëzit e mi kanë bërë mirë, këto tre vjet, duke luftuar dhe marrë robër dhe materiale. Nuk kemi humbur asnjëherë, siç tregojnë raportet zyrtare. Qeveria franceze na ka dhënë të gjitha furnizimet e nevojshme. Pozita gjeografike është e favorshme për ne, nëse avancojmë.

Pse nuk përparojmë? Ah, nëse aleatët do të na lënë të lirë, unë mund të bëj më mirë. Ajo që dua është më shumë ushtarë. Nëse aleatët do të më ndihmojnë, dua që të kem më shumë nga ushtarët tanë në Shqipëri, kështu mund të arrij rezultate më të mira. Shpresoja se mund t’i liroj të gjithë njerëzit e Shqipërisë nga përparimi i aleatëve, ashtu siç ishte rregulluar për grekët dhe serbët. Unë nuk e di se çfarë po ndodh, por e di se nuk mund t’i bëj gjërat në mënyrën time, dhe mënyra ime është mënyra e njerëzve të vendit tim dhe aleatëve. Nëse do të kisha mundur të hyja në mesin e njerëzve tanë dhe të shpjegoja se çfarë është në dobi të tyre, ata do të revoltoheshin dhe do të vinin në flamurin tonë dhe unë do të kisha një ushtri prej 60.000 vetësh — një forcë e barabartë me atë të Austrisë.

Po të më kishin lënë dorën e lirë do ta kisha marrë Shkodrën para kësaj dhe do të kisha marrë rrafshinat e Kosovës. E di që mund t’i bëj shqiptarët kundër austriakëve. I bëj thirrje Amerikës të na ndihmojë. I bëj thirrje Amerikës që të na dërgojë ushtarë dhe të na ndihmojë të luftojmë në terren që e duam kaq shumë. I bëj thirrje Presidentit Wilson që të mbajë anën e vendit tonë të vogël. Vendet e vogla kanë të drejtat e tyre dhe ne e dimë se Presidenti juaj i madh do ta përdorë ndikimin e tij për të mirën tonë".

Marrë nga Darisiani.com

Sondazh

Poll