Politike

'Asnjëherë për zgjedhjen e kreut të PD-së'/ Berisha në gabim, ç'shkruante PPE një vit më parë për Bashën

Por ky detaj duket se nuk është i vërtetë, pasi në qershor të vitit 2021 kur u zgjodh Lulzim Basha kryetar i PD-së, Partitë Popullore Europiane e kanë uruar me anë të një postimi në Twitter.

26 Maj 2022, 22:42 Nga DOSJA
'Asnjëherë për zgjedhjen e kreut të PD-së'/
Sali Berisha

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha është pyetur sot se pse asnjë nga ambasadat e Bashkimit Europian, apo bashkëpunëtorë të huaj, nuk i kanë uruar fitoren, pas zgjedhjes në krye të Partisë Demokratike. Por sot, gjatë një prononcimi për mediat, ai deklaroi se sa herë që është zgjedhur kryetari i PD-së, nuk ka pasur asnjë urim.

“Nuk mbaj mend kur jam zgjedhur herë të tjera të kem pasur ambasador që të më kenë uruar. Unë nuk mbaj mend në memorien time. PPE (partitë si motra të PD-së në Europë) siç e keni marrë vesh ju për momentin mban një qëndrim neutral por zëri ynë në PPE do të jetë i pranishëm,”- tha Berisha.

Por ky detaj duket se nuk është i vërtetë, pasi në qershor të vitit 2021 kur u zgjodh Lulzim Basha kryetar i PD-së, Partitë Popullore Europiane e kanë uruar me anë të një postimi në Twitter.

“Le të vazhdojmë bashkëpunimin tonë, dhe sëbashku të luftojmë për një Shqipëri demokratike dhe Europiane” – shkruante PPE asokohe. Kësaj here qartësisht kanë zgjedhur që të heshtin. E po ashtu edhe ambasada amerikane në Shqipëri duke se ka vendosur që të qëndrojnë në heshtje, edhe pse kishin paralajmëruar se me Berishën në krye, do të ndërprisnin marrëdhëniet me selinë blu.

'Asnjëherë për zgjedhjen e kreut të PD-së'/

Megjithatë edhe pse jo aq radikale, sërish PPE nuk ka mbajtur ende një qëndrim zyrtar. Më 31 maj, Partitë Popullore Europiane do të zhvillojnë një takim ku pjesë e axhendës do të jetë edhe situata e trazuar brenda Partisë Demokratike.

Mësohet se PD do të përfaqësohet në këtë mbledhje të rëndësishme të PPE-ve nga Jorida Tabaku, e cila ka marrë ftesën si nënkryetarë e Partisë Demokratike, Albana Vokshi si kryetare  e Lidhjes së Gruas së PD-së, po ashtu dhe nga deputeti Belind Këlliçi, si kryetari i Forumit Rinor të PD-së. Por një detaj tjetër është fakti se nga tre deputetët e ftuar për të qenë pjesë e mbledhjes së Partive Popullore Europiane, vetëm Jorida Tabaku ka të drejtë vote.

Sali Berisha u zgjodh kryetar i PD në zgjedhjet e zhvilluara nga Rithemelimi më 22 maj, me 40 mijë e 820 vota, përballë Ibsen Elezit që mori votat e 2532 anëtarëve.

(k.m/dosja.al)

Sondazh

Poll