Aktualitet

Rrënohet Kisha e Shën Mëhillit në Voskopojë, instancat heshtin, projektet ngelin në letër

Kjo kishë u mbarua së ndërtuari më 1722 dhe është një kishë e tipit bazilikal trenefesh, me dimensione 33 x 15 x 9 m, e mbështetur në dy rreshta me nga pesë kolona. Të gjitha kupolat nuk ngjajnë me njëra-tjetrën.

26 Maj 2022, 14:09 Nga DOSJA
Rrënohet Kisha e Shën Mëhillit në Voskopojë, instancat
Kisha e Shën Kollit

TIRANË- “Kisha e Shën Mëhillit” në Voskopojë është objekti i dytë në Listën e Trashëgimisë Kulturore që po shkon drejt rrënimit. Dosja.al ju sjell video nga kisha që shihet se vit pas viti shkon drejt degradimit por as Kisha Ortodokse dhe as Ministria e Kulturës nuk kanë vënë dorë mbi të. Kisha e Shën Mehillit në Voskopojë është një monument i trashëgimisë kulturore në rrethin e Korçës. Kjo kishë u mbarua së ndërtuari më 1722 dhe është një kishë e tipit bazilikal trenefesh, me dimensione 33 x 15 x 9 m, e mbështetur në dy rreshta me nga pesë kolona. Të gjitha kupolat nuk ngjajnë me njëra-tjetrën.

Ndryshueshmëria paraqitet në planimetri. Në pjesën lindore absida del jashtë dhe është e trajtuar me pilastra. Narteksi ndodhet në pjesën perëndimore, nuk ndryshon shumë nga ana konstruktive në pjesët e naosit. Narteksi është i mbështetur në kolona guri me harqe dhe kupola, por në dallim nga naosi nuk ka nefe dhe të gjitha mbulesat janë kupola me brinjë katrore në nivel për nga lartësia. Hajati mungon, është rrënuar para shumë vitesh, por sot arrijmë të lexojmë gjurmë. Në 1996 kisha u vandalizua dhe 23 piktura shenjtorësh u dëmtuan rëndë.

Por kjo kishë 300-vjeçare e cila është nën mbrojtjen e shtetit si monument kulture është duke u shembur çdo ditë e më shumë.  Rrënimi i kësaj Kishe shënon monumentin e dytë të Trashëgimisë Kulturore, pas Kishës së Shën Marisë në fshatin Barmash të Kolonjës, të cilës i është shembur edhe pjesa hyrëse. Drejtori i Trashëgimisë Kulturore në Korçë, Gjergji Koki tha për se janë hartuar dy projekte për restaurimin e kishës 400-vjecare. Por ende nuk duket asgjë konkrete. Edhe Kisha e Shënkollit në fshatin Saraqinisht të Gjirokastrës me një histori mbi 400-vjeçare është duke u rrëzuar totalisht. Pavarësisht se ky kult fetar gëzon statusin monument kulture, ende duket se ndërhyrja nga instancat nuk po kryhet. Restaurimet e kryera nuk kanë shërbyer për asgjë.

Në vitin 2019, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin e restaurimit e “Kisha e Shën Mëhillit”, Voskopojë. Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë të kishës. Investimi për rehabilitimin e qendrës historike të Voskopojës kap vlerën 365 milionë lekë të reja dhe përveç rikonstruksionit të 4 kishave përfshin edhe investime në infrastrukturën rrugore të fshatit. Që nga ajo kohë kanë kaluar tre vite, edhe sa do presë shteti për të ndërhyrë në këto monumente kulture?

(F.m/dosja.al)

Sondazh

Poll