Bota

Kurti takon Abazoviç në Zvicër, nuk përmendet demarkacioni

Kurti e uroi Abazoviç për marrjen e detyrës, duke i uruar atij suksese në arritjen e rezultateve për qytetarët.

25 Maj 2022, 00:02 Nga DOSJA
Kurti takon Abazoviç në Zvicër, nuk përmendet demarkacioni
Albin Kurti dhe Dritan Abazoviç

ZVICËR- Në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç.​ Kurti e uroi Abazoviç për marrjen e detyrës, duke i uruar atij suksese në arritjen e rezultateve për qytetarët.

Duke biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, kryeministri Kurti e falënderoi Abazoviçin për bashkëpunimin e ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi në shumë fusha. Përderisa theksoi vullnetin për fuqizimin e marrëdhënieve shumë të mira me Kosovën, Abazoviç tha se duhet promovuar politika që janë optimiste dhe respektuese, e që fokusohen në qytetarët.

U diskutua për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, si dhe potencialin e bashkëpunimit në shërbim të zhvillimit më të madh socio-ekonomik dhe rritjes së investimeve në të dy vendet. U veçuan projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, siç janë rruga Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë, e që do të afrojnë qytetarët dhe do të ndihmojnë ekonominë e të dy vendeve.

U bisedua për thellimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Republikës së Malit të Zi, si dhe për organizimin e një mbledhje G2G ndërmjet të dy qeverive brenda këtij viti.

(I.A/dosja.al)

Sondazh

Poll