Aktualitet

VD-Grabitja e Rinasit, avokati: Talo Çela s’mori pjesë, kishte gjurin e dëmtuar, s'kam kontakte

Në të njëjtën ditë, Kaloçi pretendon se ka qenë edhe duke u qethur, në një berber tek Liqeni i Thatë në Tiranë. I pyetur nëse ka kontakte me Talo Çelën, avokati e mohoi një gjë të tillë. Ai tha se edhe prokurën ia ka dhënë i vëllai, Bujar Çela që nuk jeton më.

23 Maj 2022, 11:56 Nga DOSJA
VD-Grabitja e Rinasit, avokati: Talo Çela s’mori pjesë, kishte
Talo Çela

TIRANË- Avokati i Talo Çelës Luan Kaloçi pretendon se klienti i tij nuk ka gisht në grabitjen e Rinasit. I pranishëm në seancë, Kaloçi ka kërkuar përballje me të penduarin e drejtësisë Alkond Bengasi dhe të bashkëpandehurve Klement e Eldi Çala. Ai tha se Çela nuk ka qenë në Rinas në momentin që ka ndodhur grabitja aty pasi ka pasur gjurin keq dhe po bëhej gati për operacion. Në të njëjtën ditë, Kaloçi pretendon se ka qenë edhe duke u qethur, në një berber tek Liqeni i Thatë në Tiranë. I pyetur nëse ka kontakte me Talo Çelën, avokati e mohoi një gjë të tillë. Ai tha se edhe prokurën ia ka dhënë i vëllai, Bujar Çela që nuk jeton më.

“Kërkoj kohë për të përgatitur kërkesat për ballafaqim me Alkond Bengasin dhe vëllezërit Klement dhe Eldi Çala. Duam ballafaqim. Talo Çela ka qenë në pamundësi të merrte pjesë në atë grabitje të parave të tre bankave pasi ka patur gjurin e dëmtuar dhe po përgatitej për operim. Për këtë gjendje shëndetësore, kam rezonancë magnetike të gjurit që bëri Talo Çela. Nuk kam asnjë kontakt, po ta dija do ta kontaktoja, prokurën ma ka përcaktuar vëllai i tij që aktualisht nuk jeton më. Me Talo Çelën jo vetëm që s’e kam takuar, por s’kam asnjë telefonatë. Këto janë çështje që do gjykohen, do merren prova dhe më pas do vendoset. Sipas meje nuk ka qenë në grabitje, nuk ka prova që kanë qenë në grabitje, në atë datë ka prova se ka qenë te Liqeni i Thatë. Berberin e kërkova sepse ai pretendon se ditën e ngjarjes ka qenë duke u qethur ai,”- u shpreh ai.

Talo Çela është një nga më të shumëkërkuarit në Shqipëri. Herën e fundit, GJKKO lëshoi një tjetër urdhërarrest ndaj tij, pas rrëfimit të Nuredin Dumanit, ish-bashkëpunëtorit të tij në shumë krime që tashmë është bërë i penduari i drejtësisë, por arrestimi sërish dështoi. Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”. Ngjarja e parë e bujshme, ku u përmend emri i Talo Çelës, është grabitja në Rinas, që ndodhi më 9 prill të 2019. Çela është i dyshuar si i përfshirë në ekzekutimin e katër personave të tjerë, Indrit dhe Arben Dylgjerit dhe një shtetasi turk Erdal Durunay, ngjarje e ndodhur në 28 dhjetor 2018, ngjarje e njohur si masakra e Bradasheshit. Po ashtu akuzohet edhe për vrasjen e Andi Zylyfit rreth një vit më pas. Talo Çela akuzohet dhe për vrasjen e 2 vëllezërve Haxhia në Durrës dhe të një tjetër atentati ku u vranë Anxhelo Avdiaj e Dorian Shkoza.

(F.m/dosja.al)

Sondazh

Poll