Politike

Berisha e mbyll mesazhin e parë si kryetar në anglisht: Kurrë mos thuaj kurrë!

Berisha falenderoi edhe rivalin e tij Ibsen Elezi, të cilin e konsideroi një demokrat të vërtetë.

22 Maj 2022, 23:12 Nga DOSJA
Berisha e mbyll mesazhin e parë si kryetar në anglisht: Kurrë mos
Sali Berisha

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha e ka mbyllur në anglisht mesazhin e tij të parë si kryetar i Partisë Demokratike. Para mbështetësve në selinë blu, ai tha se një vit më parë, kur u pyet nga gazetarët nëse do të kthehej sërish në krye të PD-së, është shprehur se nuk i dihet kurrë. Dhe sot, ajo pyetje e ka marrë përgjigjen. Berisha falenderoi edhe rivalin e tij Ibsen Elezi, të cilin e konsideroi një demokrat të vërtetë.

“Në mënyrë të veçantë mirënjohja ime shkon për të rinjtë shqiptarë. Duhet ta pranoj se ishin ata promotorët kryesor të kësaj lëvizje. Ndaj dhe betimi im para tyre dhe mbarë shqiptarëve: Do të bëj gjithçka që ëndrrat e tyre më të bukura të bëhen realitet në këtë vend. Ai që realizon ëndrrat e tij ai është pafundësisht i detyruar të bëjë gjithçka për të realizuar ëndrrat e bukura të të tjerëve. Më pak se një vit më parë, në 13 qershor në këtë sallë, diku aty në qoshe, gazetarët pasi votova më pyetën: Çfarë mendon për rikthimin tënd dhe a parashikon Berisha ndonjëherë të rikthehet në krye të PD-së? – Përgjigjja ime ishte kjo: “Never say never”! Ndaj dhe unë do t’i them sonte çdo të riu dhe të reje shqiptare, çdo demokrati dhe demokrateje shqiptare, “Never say never”, ne do të fitojmë. Faleminderit shumë të gjithë komisionerëve, faleminderit Komisionit të Administrimit të operacioneve zgjedhore, kryetarëve të degëve, Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, ju falënderoj me mirënjohjen më të madhe ju, miqtë e mi të pranishëm në këtë sallë, që e zbukuruat, e bëtë kaq njerëzore këtë fitore të Partisë Demokratike! Rroftë Partia Demokratike! Një përshëndetje të veçantë kam për Ibsen Elezin, rivalin tim, i cili është një demokrat i vërtetë me integritet, që zhvilloi një garë të qytetëruar. Faleminderit shumë të gjithëve ju! Mirupafshim!”- tha Berisha ndër të tjera.

(F.m/dosja.al) 

Sondazh

Poll