Aktualitet

Grabitja dhe dhunimi i noterit Thoma Kaçi në Sarandë, arrestohen 2 organizatorët

20 Maj 2022, 08:29 Nga DOSJA
Grabitja dhe dhunimi i noterit Thoma Kaçi në Sarandë,
Thoma Kaçi

SARANDË- Pas 1 viti janë identifikuar dhe arrestuar dy organizatorët e grabitjes së noterit Thoma Kaçit. Samet Brahimi dhe Ilia Mata, sipas policisë, janë dy nga 3 organizatorët që planifikuan dhunimin dhe grabitjen e Kaçit në Sarandë, ngjarje kjo e ndodhur më 20 tetor të 2021-it. Oltjon Pula, Vladrias Himaj dhe Elis Avduli janë tre autorët e tjerë që u vunë në pranga nga policia. 

NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË:

Vijon operacioni policor i koduar “Butrinti”, shkon në 5 numri i personave të ndaluar. Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me DVP Vlorë, Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë. Vihen në pranga 2 organizatorët e vjedhjes së një shume parash, nën kërcënimin e armës, në banesën e shtetasit Th. K., ngjarje e ndodhur më datë 20.10.2021. Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur në datën 20.10.2021, në lagjen nr.1, Sarandë, ku disa persona, nën kërcënimin e armës, vodhën një shumë parash në banesën e shtetasit Th. K.(noter), shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me DVP Vlorë, Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Butrinti”. Në kuadër të këtij operacioni janë kapur dhe ndaluar shtetasit S. B., 34 vjeç, banues në Shkodër dhe I. M., 29 vjeç, banues në Tiranë.Për këta shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, me vendimin e datës 18.05.2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me armë”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.Në bazë të provave të grumbulluara gjatë hetimit për këtë ngjarje ka rezultuar se shtetasit S. B. dhe I. M. kanë patur rolin e organizatorit në vjedhjen me armë në banesën e shtetasit Th. K., në qytetin e Sarandës.Për këtë ngjarje, në datën 03.11.2021, janë arrestuar si bashkëpunëtorë edhe shtetasit E. A., 53 vjeç, O. K. (P)., 40 vjeç, dhe V. H., 35 vjeç.Një javë pas ngjarjes, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë gjetur në det, armën e zjarrit automatik, së bashku me dy karikatorë, që këta shtetas kanë përdorur gjatë vjedhjes në banesën e shtetasit Th. K.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë.

SI NDODHI GRABITJA?

Thoma Kaçi u grabit mëngjesin e 20 tetorit në momentin kur po dilte me gruan dhe djalin nga banesa e tyre në mëngjes. Në atë moment ata dëgjuan derën të hapej nga dy grabitësit e maskuar dhe të armatosur. Nën kërcënimin e armës ata i detyruan të futen sërish brenda duke i lidhur në karrige dhe më pas u bënë presion për t’u treguar se ku i fshihnin paratë. Pas kërcënimeve të vazhdueshme Kaçi u tregoi se ku ndodheshin paratë. Ata morën 20 mln lekë të vjetra në banesë dhe më pas u larguan. Noteri arriti të telefonojë policinë dhe ishin efektivët që e liruan nga karrigia.

(a.b)/dosja.al

Sondazh

Poll