Politike

Boçi-Alibeajt: Boll keqpërdore dëshirën e deputetëve për të negociuar për Presidentin

Boçi shkruan se gjithçka e thënë sot në media nga Enkelejd Alibeaj është një përpjekje e tij për të paraqitur një opozitë false.

13 Maj 2022, 14:41 Nga DOSJA
Boçi-Alibeajt: Boll keqpërdore dëshirën e deputetëve
Luçiano Boçi

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi shkruan se grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk ka miratuar asnjë dokument në lidhje me zgjedhjen e Presidentit të ri. Në një postim në Facebook, Boçi shkruan se gjithçka e thënë sot në media nga Enkelejd Alibeaj është një përpjekje e tij për të paraqitur një opozitë false. Deputeti shton se nuk ka pasur as vendim të Kryesisë grupit parlamentar, as mbledhje të grupit, as takim me kuorum për ta quajtur mbledhje grupi dhe as dakortësi në takimet pa kuorum. Boçi që është mandatuar nga PD-ja për Presidentin thekson se ky lloj keqpërdorimi i sinqeritetit dhe dëshirës së deputetëve të PD-së për të negociuar dhe propozuar Presidentin duhet të marrë fund.

“Grupi Parlamentar i PD nuk ka miratuar asnjë dokument kriteresh apo procedurë. PD ka miratuar rezolutën për zgjedhjen e Presidentit në Këshillin Kombëtar. Çdo përpjekje e Alibeajt për të paraqitur një opozitë false të emëruar nga Rama-Balla, nuk pranohet. Kjo e folura dhe paraqitja e vendimeve personale në emër të Grupit parlamentar të PD-së përpos që është qesharake, mbetet një hile bajate, për të marrë atribute të paqena dhe për të mbajtur gjallë një përçarje që dihet se kujt i shërben. Grupi Parlamentar i PD nuk ka miratuar asnjë dokument kriteresh apo procedure për zgjedhjen e Presidentit, siç e paraqet z. Alibeaj. Nuk ka pasur as vendim të Kryesisë grupit parlamentar, as mbledhje të grupit, as takim me kuorum për ta quajtur mbledhje grupi dhe as dakortësi në takimet pa kuorum. Ky lloj keqpërdorimi i sinqeritetit dhe dëshirës së deputetëve të PD-së për të negociuar dhe propozuar Presidentin duhet të marrë fund. PD ka organet e saj vendimmarrëse dhe ka miratuar rezolutën për zgjedhjen e Presidentit  në Këshillin Kombëtar. Grupi parlamentar është i unifikuar në idenë që është opozita ajo që duhet të propozojë. Çdo përpjekje e Alibeajt për të paraqitur një opozitë false të emëruar nga Rama-Balla për të shpëtuar faqen e Ramës faqe botës, nuk pranohet. Ne do të vazhdojmë misionin e PD-së për të përafruar qëndrimet për procesin dhe emrin me të gjithë partitë opozitare në nivel politik e parlamentar,”- shkruan Boçi.

Alibeaj tha se paraditen e sotme se Opozita ka rënë dakort në lidhje me kërkesat që duhet të plotësojë një President. Alibeaj tha se flet në emër të të gjithë deputetëve që kanë shprehur mendimin e tyre. Sot, ai nuk shkoi në takimin e thirrur nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, i cili diskutoi me Shpëtim Idrizin e Fatmir Mediun.

(f.m/dosja.al)

Sondazh

Poll