Insights

Konflikti për Xhaminë dhe “koka” e kreut të KMSH në tepsi për sulltanin Erdogan

10 Maj 2022, 19:16 Nga DOSJA
Konflikti për Xhaminë dhe “koka” e kreut të KMSH

Nga Fjola Graçi-Dosja.al

TIRANE– Fundprilli i gjeti besimtarët myslimanë në Shqipëri sërish në sheshin Skënderbej, si hapësirën më të madhe publike ku zhvilluan ritualin e faljes së Fiter Bajramit. Të premtuar për disa Ramazanë ndër vite se falja e radhës do të ishte në xhaminë  e Namazgjasë, edhe këtë herë, pati vetëm fjalë.

Premtimi iu erdhi nga “vëllai” shpirtëror i kryeministrit Edi Rama, presidenti turk Rexhep Tayip Erdogan, që në vizitën e 17 janarit 2022, pasi zgjodhi ditën e vdekjes së Skënderbeut, sfidoi edhe me një premtim publik se do të rivinte në Shqipëri për Bajram dhe do të inaguronte vetë xhaminë e Namazgjasë.

Xhamia e Namazgjasë, e njohur edhe si Xhamia e Madhe e Tiranës, në një sipërfaqe prej 6 mijë metra katrorë, në përfundim është parashikuar se do të jetë edhe xhamia më e madhe në Ballkan. Sipas projektit, në xhami mund të falen njëkohësisht mbi 5 mijë besimtarë.

Por siç edhe ndodhi, Erdogan nuk erdhi në Shqipëri, dhe arsyet lidhen me një konflikt të hershëm që ende nuk është sqaruar mes tij dhe institucioneve shqiptare.

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në Parlament se Erdogan është duke bërë presion tek qeveria shqiptare për largimin e kryetarit aktual të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu dhe emërimin në krye të KMSH të një njeriu të lidhur dhe të varur nga Ankaraja.

“Xhamia e Namazgjasë nuk u hap festën e Fitër Bajramit. Edi Rama ka dërguar njerëz për ti bërë presion kryetari të KMSH për të dhënë dorëheqjen sepse këtë do Erdogan. E denoncoj. Nuk lejohet asnjë ndërhyrje. I bëj thirrje presidentit të Turqisë, të sjellë çdo dosje, por që të fajësojmë ne njerëz pse janë shkolluar me fondet e Gylenit kjo nuk mund të ndodhë. Me gjithë respektin që kam përe ju dhe vendin tuaj. Nuk duhet ndërhyrë për të caktuar kryetarin e KMSH. Xhaminë të falenderojmë për ndërtimin. Por PD nesër në pushtet do të paguajmë çdo qindarkë, se për ne autonomia është shumë më e çmuar se ndërtesat e kultit,” tha Berisha.

Por pse është “non-grata” për Erdogan Bujar Spahiu?

Kryetari aktual i KMSH konsiderohet nga shteti turk si një njeri pranë fondacionit FETO (gylenist), pasi ka studiuar përmes ndihmesës me bursë nga një nga fondacionet e themeluara nga Fetullah Gylen. Armiqësia e njohur e Erdogan me rrjetin Feto është kthyer në kufirin që presidenti turk ka vendosur në miqësinë e tij me Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama. Më 17 janar, Erdogan kërkoi hapa konkretë dhe e quajti një “parakusht” për miqësinë dhe partneritetin mes dy vendeve. Gjithashtu ai e cilësoi FETO-n “kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë”.

Teksa Shqipëria dhe kryeministri Edi Rama thonë se nuk i kanë asnjë borxh presidentit turk për të dorëzuar anëtarët e lëvizjes Gylen, xhamia e Namazgjasë është bllokuar. Punimet vazhdojnë por datë inagurimi nuk ka, për më shumë se 7 vite që nga viti 2015, kur nisi edhe hedhja e themeleve. Duhet të përfundonte Brenda 2 vitesh, por kanë kaluar 7 dhe xhamia ende nuk është gati.

Por çfarë thotë ish-kreu i KMSH Skënder Bruçaj për financimin, donatorët dhe afatet e ndërtimit të xhamisë së Namazgjasë në një intervistë të dhënë disa muaj më parë? 

“Fillimet e punimeve ishin atëherë kur isha unë në detyrë kryetar. Në një vizitë që pata në Turqi, i pata thënë ish-kryetarit të Komunitetit Mysliman të Turqisë që duhet të filloni punimet e xhamisë së Namazgjasë se edhe unë për vete kam kontribuar. Dhe janë bërë disa herë thirrje në Turqi. Xhamia bëhet me ndihmesën e vëllezërve myslimanë turq. Edhe xhamia duhej të mbaronte për dy vjet. Besoj se kontrata këtë verë mbaron. Nëse nuk e përfundojnë, KMSH i ka forcat për ta mbaruar. Xhamia është një objekt kulti, nuk mund të bëhet pjesë e një pazari politik e as e një strategjie kombëtare të një shteti të huaj për të rritur influencën e vet,” tha ish-kreu i KMSH në një intervistë për Zërin e Amerikës më 21 janar 2021, 4 ditë pas vizitës së Erdogan në Shqipëri.

“Koka” e kreut të KMSH, një “kurban” në tepsi argjendi për sulltanin

Dosja.al ka raportuar ndër vite për përplasjen e fortë që shteti turk ka me KMSH-në në Shqipëri për shkak të akuzave për lidhjen me FETO. Ardhja e Bujar Spahiut nuk ishte një zgjidhje, por një alternativë momenti që nuk dha paqe. Në pranverën e vitit 2019, kur ishte duke u zhvilluar gara për zgjedhjen e kryetarit të ri, Skënde Bruçaj, që drejtonte asokohe KMSH u tërhoq nga gara. Turqit ushtruan një presion të jashtëzakonshëm që KMSH të mos drejtohej më  nga një njeri i lidhur sipas tyre me Gylenin, ndërsa Rama u detyrua të lëshonte shpurën qeveritare në m mbështetje të imamit Ylli Gurra. Vetë kryebashkiaku Erion Veliaj doli në mbështetje të Gurrës në një fushatë mirëfilli “politike”, ku zgjedhjet u zhvilluan në kohë rekord dhe nuk munguan dyshimet.

Myftinia shqiptare në mes të dy zjarreve, erdoganistëve dhe socialistëve u detyrua të gjente një zgjidhje cezariane, duke mos e zgjidhur të gjithë problemin por vetëm një pjesë të tij.

U gjet Bujar Spahiu, e vetmja rrugëdalje që u përshendet edhe nga vetë Bruçaj. Me një shkollim në Egjipt, mbështetje nga Perëndimi dhe profil të ulët, Spahiu u pa si emri që do të shmangte përplasjen me turqit.

Sot 3 vite më vonë, kur mandatit të tij i duhen edhe dy vite që të përfundojë, Spahiu është sërish në shënjestër për vendin e tij në KMSH, ndërsa përplasja e vërtetë ajo që luhet në takimet dypalëshe, nuk ka në thelb fatin personal të një teologu, por të një vasaliteti që sa shkon dhe bëhet më prezent në Shqipëri. Zyrtarisht Shqipëria ka refuzuar të dorëzojë te autoritetet turke anëtarët e lëvizjes Gylen, por prej vitit 2016, Shqipëria ka bërë lëshime të vogla, si lejimin e zëvendësimit të institucioneve arsimore të financuara nga gylenistët nga një fondacion shtetëror turk.

(f.g/dosja.al)

Çmimet e hoteleve në prag të finales së Conference League, janë rritur disa herë dhe kanë detyruar tifozët italianë të anullojnë udhëtimin. Si duhet menaxhuar kjo situatë?

View Results

factcheck politike bujar spahiu erdogan fetullah gylen gylenistet ne shqiperi sali berisha xhamia e namazgjase bujar spahiu erdogan fetullah gylen gylenistet ne shqiperi sali berisha xhamia e namazgjase

Sondazh

Poll

Insights 7 Maj 2022, 14:05

Nëse një ditë do të riktheheni në detyrë…

Letër e hapurIsh drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, znj. Elisabeta ImerajE nderuar prokurore,Teksa ju dëgjoja në intervistën Tuaj, pas vendimmarries së KPA-ë...