Bota

Ministri gjerman: Kemi nevojë për infermierë nga Kosova

16 Korrik 2019, 16:27 Nga DOSJA
Ministri gjerman: Kemi nevojë për infermierë nga Kosova

KOSOVË- Qeveria e Kosovës dhe qeveria gjermane kanë rënë dakord që të shkëmbejnë përvoja në fushën e sigurimit shëndetësor, në menaxhimin shëndetësor dhe kualifikimin e profesionistëve të shëndetësisë, por edhe për akreditimin dhe certifikimin e stafit infermier.

Kjo do të bëhet e mundur, pasi në Prishtinë ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn së bashku me homologun kosovar Uran Ismajli, nënshkruan një marrëveshje të përbashkët për këtë bashkëpunim. Fillimisht takimi i ministrit Spahn me kryeministrin kosovar Haradinaj u zhvillua pa praninë e medieve dhe pas takimit nuk pati deklarata. Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn erdhi në Prishtinë për t’i dhënë mbështetje sektorit kosovar të shëndetësisë sidomos me praktikat gjermane sa i përket sigurimeve shëndetësore. Pas një takimi që ministri Spahn zhvilloi me ministrin kosovar të Shëndetësisë, ai tha se Kosova dhe Gjermania kanë mundësi të mira bashkëpunimi, sepse, Gjermania ka numër më të madh të qytetarëve të shtyrë në moshë, ndërsa, Kosova ka një popullsi shumë të re.

Gjermania ka një përvojë të sistemit shëndetësor më shumë se 125-vjeçare. Ne me përvojat tona dëshirojmë të ofrojmë përkrahje dhe këshillim, ndërsa, po ashtu, ne mund të ndihmojmë edhe në fushën si kualifikimi dhe certifikimi në fushën e infermierisë. Diplomat e infermierisë do të ishte mirë të njiheshin më lehtë në Gjermani, sepse Gjermania ka nevojë për ardhje të ekspertëve të fushës së infermierisë dhe nga sot me nënshkrimin e marrëveshjes kemi krijuar një bazë të përbashkët, që është qëllimi final, shkollimi profesional nëpër shkolla, i cili i referohet standardit gjerman”, tha ministri Spahn. Sipas tij, Gjermania ka nevojë për rreth 70 mijë infermierë.

“Këtë numër të madh të infermierëve që na duhen mund ta arrijmë vetëm me ardhjet nga vendet e tjera dhe Kosova është shteti i parë me të cilin nënshkruam marrëveshje të kësaj natyre”, tha ministri Spahn.

Ndërkohë në një komunikatë për medie, pas takimit që zhvilloi me ministrin gjerman të Shëndetësisë Jens Spahn, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, thotë se: “Kosova është vend që përveç ekspertëve të mjekësisë, mund të ofrojë më shumë edhe në aspektin e shërbimeve mjekësore, nga këtu për vendet evropiane, me theks të veçantë për tregun shëndetësor në Gjermani. Kosova ka kapacitete për të ofruar shërbime shëndetësore dhe përcjellëse edhe për Gjermaninë. Ne kemi qenë dëshmitarë që ekspertët tanë tashmë kanë shënuar rezultate dhe suksese në Gjermani dhe vende të tjera, po ajo çka mund të bëjmë është bashkëpunimi konkret, që nga këtu, me ekspertët tanë, t’i ofrojmë këto shërbime për Gjermaninë dhe ky lloj partneriteti do të jetë në interes të të dyja palëve”, thuhet në komunikatën e zyrës së Kryeministrit Haradinaj.

Marrë nga DW

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

rajoni rajoni infermieret nga kosova jens spahn ministri gjerman infermieret nga kosova jens spahn ministri gjerman

Sondazh

Poll