Bota

Nga ‘vagabond’ drejt majave të pushtetit në Malin e Zi, një profil i Dritan Abazoviq

28 Mars 2022, 13:40 Nga DOSJA
Nga ‘vagabond’ drejt majave të pushtetit në Malin e Zi,

MAL I ZI– Zgjedhjet e vitit 2020 në Mal të Zi ishin hapi më i suksesshëm në karrierën politike të Dritan Abazoviqit. Dje, Abazoviq me Lëvizjen e tij Qytetare, URA, i fitoi zgjedhjet lokale në Ulqin, vendlindjen e tij. Brenda pak ditësh, zëvendëskryeministri i Malit të Zi mund të ngjitet edhe më lart.

Dritan Abazoviq është pretendenti kryesor për t’u bërë kryeministër i Malit të Zi, kur në Podgoricë pritet formimi i qeverisë së re. Presidenti malazez, Milo Gjukanoviq ia dha mandatin për formimin e qeverisë së re “vagabondit”, siç e kishte quajtur dikur politikanin nga Ulqini, kur ai ishte prej deputetëve më të zëshëm kundër qeverisë së tij në parlamentin e Malit të Zi.

I mandatuari për formimin e qeverisë së re tha dje gjatë zgjedhjeve në komunat Ulqin dhe Beran se pret që nga sot të ketë progres për formimin e qeverisë së pakicës, e cila ai beson se mund të formohet brenda pak ditësh.

“Për sa i përket mandatarit, kryeministri është gati”, tha Abazoviq disa orë para se të festonte me fishekzjarre e këngë shqipe për fitoren në Ulqin, aty ku u lind dhe u rrit.

Politikani të cilit nuk i pëlqen nacionalizmi, në Kosovë ende nuk njihet shumë; në Shqipëri edhe më pak. Por në Mal të Zi 36-vjeçari që kishte doktoruar për shkenca politike në Sarajevë, tashmë është në mesin e figurave kryesore politike, dhe jo vetëm për vendin që e ka zënë në hierarki.

Përpara se të niste vrapin drejt majës së shtetit, Abazoviq ishte aktivist qytetar e bashkëpunëtor i gjatë i organizatave joqeveritare në fushën e të drejtave të njeriut. Ai angazhohej në projekte që kishin të bënin me promovimin e multikulturalizmit në zonat e ish-Jugosllavisë pas luftërave.

Më pas ai kishte shkuar në vendin e multikulturalizmit. Kishte banuar për pak kohë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa merrte pjesë në programin e Departamentit të Shtetit në Uashington D.C.

Në vitin 2010, ai e kishte botuar librin e tij të parë “Kultura kozmopolitane dhe drejtësia globale”. Nga po ai vit, Abazoviq kishte punuar si mësues në shkollën e mesme në Ulqin, duke dhënë mësim në lëndën sociologji e kulturës, komunikimit dhe historisë së fesë.

Abazoviq, i cili flet gjuhën shqipe, serbo-kroate dhe angleze, ishte një nga themeluesit e partisë politike social-liberale “Mali i Zi Pozitiv” në vitin 2012. Në zgjedhjet parlamentare malazeze të vitit 2012, ai ishte bërë deputeti më i ri në Parlament.

Në vitin 2014, pas një ndarjeje në parti, Abazoviq ishte larguar nga aty, duke shërbyer si deputet i pavarur përpara se t’i bashkohej Lëvizjes URA, të sapothemeluar në 2015, të cilën e udhëhoqi me një sukses të jashtëzakonshëm në vitet pasuese.

“Ne e dinim se do ta ndryshonim lojën. Kemi pritur ndryshimin e qeverisë për 30 vjet. Shumë njerëz nuk e kanë besuar, por tani është realitet. E thamë se do ta shkruanim historinë dhe e shkruam. Mafia nuk do të sundojë më ne Malin e Zi”, pati thënë Abazoviq pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, ku fituan 4 mandate, të cilat ishin vendimtare për formimin e qeverisë së re.

Qeveria aktuale e Malit të Zi ishte votuar më 4 dhjetor 2020 me votat e deputetëve nga Fronti Demokratik pro-serb, Lëvizjes URA dhe Demokratëve, duke e lënë Partinë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviqit në opozitë pas tri dekadash.

Por këtë vit, Abazoviq kërkoi rrëzimin e qeverisë ku bën pjesë edhe vet.

Lëvizja Qytetare URA dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, që kishin garuar në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi të mbajtura në vitin 2020 në kuadër të listës “E zeza mbi të bardhë”, kanë propozuar formimin e një qeverie të pakicës, si model për tejkalimin e krizës politike në këtë shtet.

Me mbështetjen e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit Millo Gjukanoviq, e cila i ka 30 deputetë në Parlamentin malazez, Abazoviqi duket se do ta sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq.

Propozimin e Abazoviqit për një qeveri pro-europiane, e kanë mbështetur edhe lideri i Listës Shqiptare, Nik Gjeloshaj dhe ai i Koalicionit Shqiptar “Njëzëri”, Fatmir Xheka. Të njëjtën e ka bërë edhe Ervin Ibrahimoviq, lideri i Partisë Boshnjake./Express/

Ndihmës-Sekretarja e Shtetit takoi Alibeajn, ndërsa Paloka deklaroi se ka firmosur peticionin kundër ambasadores Kim. Çfarë do të thotë kjo për PD?

View Results

rajoni rajoni dritan abazoviq milo gjukanoviq dritan abazoviq milo gjukanoviq

Sondazh

Poll