Aktualitet

Festat / Policia e Shtetit në gatishmëri: Kujdes me shkeljet rrugore e fishekzjarret

24 Dhjetor 2021, 09:15 Nga DOSJA
Festat / Policia e Shtetit në gatishmëri: Kujdes me shkeljet rrugore e

TIRANË – Zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj ka bërë të ditura masat e marra nga Policia, për festat e fundvitit. Në një deklaratë për mediat, Dervishaj tha se në këto ditë do të ketë kontrolle të shtuara në bazë të analizës së riskut, në automjete apo ambiente që mund të ketë dyshime për ngjarje kriminale.

Mësohet se edhe forcat speciale RENEA dhe ato të njësisë speciale FAST do të angazhohen për kapjen e personave që dyshohen të lidhur me krimin. Dervishaj kishte edhe një apel për të gjitha bizneset dhe lokalet për të respektuar orën policore, me përjashtim të natës së ndërrimit të viteve.


DEKLARATA E PLOTË:

Në kuadër të festave të fundvitit, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët, si dhe në zbatim të Urdhrave të Ministrisë së Shëndetësisë për vendosjen e masave të reja kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, Policia e Shtetit e ka vlerësuar si shumë të domosdoshme marrjen e disa masave shtesë, si dhe kalimin e të gjithë strukturave të Policisë në gatishmëri “Shërbim të përforcuar”. Në këtë kuadër, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hartuar planin e masave me detyra për strukturat në nivel qendror dhe ato vendor, ndërsa çdo strukturë vendore ka hartuar planin e saj të masave, dokumente në të cilat janë përcaktuar objektivat dhe detyrimet për të gjitha strukturat e saj, nëpërmjet të cilave synohet:

Policia e Shtetit e vlerëson si mjaft të çmuar bashkëpunimin me komunitetin dhe në këtë kontekst do të analizojë dhe rivlerësojë informacionet për identifikimin e autorëve të ngjarjeve kriminale kundër jetës dhe pronës, konfliktet për motive të ndryshme, për personat në kërkim, për shtetasit që mbajnë armë zjarri pa leje, si dhe do të organizojnë operacione për kapjen e tyre, duke angazhuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Repartin Special “RENEA” dhe Njësinë Speciale “FAST”. Policia e Shtetit synon që nëpërmjet këtyre masave, festat e fundvitit t’u japin kënaqësinë të gjithë qytetarëve për të gëzuar dhe festuar dhe që ato të mos zbehen nga episode të paligjshmërisë, nga cenime të rendit publik. Në këtë kuadër, theksoj se masat kufizuese ndalojnë qarkullimin e qytetarëve dhe të automjeteve apo mbajtjen hapur të lokaleve pas orës 23:00 të mbrëmjes dhe deri në orën 06:00 të mëngjesit, me përjashtim të natës së ndërrimit të viteve, që nuk do të ketë orë policore. Në këtë drejtim, në emër të Policisë së Shtetit kërkoj mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve që të mos grumbullohen për festime në sheshe apo në ambiente të tjera dhe të shmangin përdorimin e fishekzjarrëve. Të gjithë qytetarët duhet të festojnë në shtëpi pranë familjeve të tyre dhe të ndihmojnë Policinë, duke respektuar masat kufizues ANTICOVID, si dhe duke denoncuar çdo paligjshmëri në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital. Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurt dhe uron të gjithë qytetarët: Gëzuar festat, shëndet, mbarësi dhe sa më shumë besim e bashkëpunim të ndërsjellë përgjatë vitit 2022, për të mirën tonë të përbashkët.

(E.H/Dosja.al)

Cila mendoni se është alternativa më e mirë:

View Results

aktualitet aktualitet albert dervishaj festat e fundvitit policia e shtetit albert dervishaj festat e fundvitit policia e shtetit

Sondazh

Poll