Aktualitet

“Kthimi i inflacionit në 3% në 2022”, Sejko: S’ndryshon norma bazë e interesit

22 Dhjetor 2021, 18:13 Nga DOSJA
“Kthimi i inflacionit në 3% në 2022”, Sejko:

TIRANË – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko bëri me dije se institucioni që përfaqëson parashikon kthimin e inflacionit në vend në 3% deri në fund të vitit 2022. Në raportimin para mediave për bilancin vjetor ekonomik në vend, drejtuesi i Bankës së Shqipërisë shtoi se projeksionet ekonomike për të ardhmen janë pozitive.

“Projeksionet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Në afatin e mesëm, rritja e ekonomisë pritet të mbështetet nga kushtet e favorshme të financimit, përmirësimi i besimit dhe i bilanceve të sektorit privat, dhe nga normalizimi gradual i aktivitetit ekonomik në vendet partnere. Këta faktorë pritet të nxitin rritjen e konsumit, të investimeve dhe të eksporteve. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të shoqërohet me rritjen më dinamike të punësimit, pagave dhe të kostove të tjera të prodhimit, duke forcuar presionet e brendshme inflacioniste. I mbështetur prej tyre, inflacioni parashikohet të kthehet në mënyrë të qëndrueshme tek objektivi 3% në fund të vitit 2022, dhe të qëndrojë pranë tij në afatin e mesëm. Nga ana tjetër, goditjet e huaja të ofertës do të diktojnë vlera të inflacionit mbi objektiv në afatin e shkurtër, por efekti i tyre pritet të jetë gjithsesi kalimtar”, tha Sejko.

Guvernatori konfimoi gjithashtu se vendosi që të mos ndryshohet norma bazë e interesit 0.5% si dhe norma e interesit të kredive njëditoe në nivelin 0.1% dhe 0.9. Ai premtoi se Banka e Shqipërisë do të monitorojë me kujdes ecurinë e inflacionit gjatë vitit të ardhshëm.

“Këshilli Mbikëqyrës vendosi:
të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%, të lerë të pandryshuar normat e interesit të depozitave dhe të kredive njëditore, respektivisht në nivelin 0.1% dhe 0.9%. Në të njëjtën kohë, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se përmbushja e objektivit të inflacionit në afatin e mesëm do të kërkojë normalizimin gradual të politikës monetare gjatë periudhës në vijim. Ky normalizim pritet të fillojë gjatë tremujorëve në vijim. Reduktimi i stimulit monetar garanton respektimin e objektivit tonë të inflacionit dhe krijon premisa për një rritje më të qëndrueshme ekonomike në afatin e mesëm e të gjatë. Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e rreziqeve rreth inflacionit vazhdon të qëndrojë në kahun e sipërm, e diktuar nga kohëzgjatja dhe intensiteti i goditjes së ofertës në tregjet botërore. Sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës thekson se do të monitorojë me kujdes ecurinë e inflacionit dhe të faktorëve përcaktues të tij, për të siguruar – në çdo rrethanë – përshtatshmërinë e qëndrimit të politikës monetare me arritjen e objektivit të inflacionit”, u shpreh guvernatori i Shqipërisë Gent Sejko.

(d.v/dosja.al)

Cila mendoni se është alternativa më e mirë:

View Results

aktualitet aktualitet banka e shqipërisë gent sejko inflacioni banka e shqipërisë gent sejko inflacioni

Sondazh

Poll