Bota

Kërkuan lirimin e filantropit, ministria turke thërret 10 ambasadorë për raportim

19 Tetor 2021, 10:09 Nga DOSJA
Kërkuan lirimin e filantropit, ministria turke thërret 10

TURQI-Ministria e Jashtme e Turqisë thirri ambasadorët e 10 vendeve, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë dhe Francën, mbi një deklaratë që kërkonte lirimin urgjent të filantropit, Osman Kavala, tha të martën agjencia shtetërore Anadolu.

Sipas mediave të huaja, deklarata, e ndarë nga disa prej ambasadave të hënën, bëri thirrje për një zgjidhje të drejtë dhe të shpejtë të çështjes së Kavalës, katër vjet pasi ai u burgos, duke thënë se rasti “hodhi një hije mbi respektin për demokracinë”.

Ministria e Jashtme e Turqisë deklaroi se u tha ambasadorëve të martën se e refuzon deklaratën “e papranueshme”, që, sipas kësaj ministrie, është bërë me qëllim që t’i bëhet trysni sistemit të drejtësisë në Turqi dhe për t’i politizuar proceset gjyqësore.

“U theksua se Turqia është shtet demokratik e ligjor që është respektues ndaj të drejtave të njeriut dhe atyre iu kujtua se sistemi gjyqësor turk nuk do të ndikohet nga një deklaratë e tillë e papërgjegjshme”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Turqisë.

Kjo ministri shtoi se ambasadorët janë paralajmëruar që të qëndrojnë brenda përgjegjësive të tyre si pjesë e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Kavala, një biznesmen, ka qenë në burg në Turqi për katër vjet pa u dënuar, pavarësisht se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut bëri thirrje për lirimin e tij. Ai u lirua vitin e kaluar nga akuzat lidhur me protestat mbarëkombëtare në 2013, por vendimi u rrëzua këtë vit dhe u kombinua me akuzat në një rast tjetër të lidhur me një përpjekje për grusht shteti në 2016.

Grupet e të drejtave i kanë përshkruar gjykimet kundër Kavalës si simbolike të goditjes së kundërshtimit nën presidentit Rexhep Taip Erdogan.

“Vonesat e vazhdueshme në gjykimin e tij, duke përfshirë shkrirjen e çështjeve të ndryshme dhe krijimin e atyre të reja pas një shfajësimi të mëparshëm, hodhën një hije mbi respektin për demokracinë, sundimin e ligjit dhe transparencën në sistemin gjyqësor turk“, thanë ambasadat në deklaratë.

Vendet e tjera të përmendura në deklaratë ishin Kanadaja, Danimarka, Hollanda, Norvegjia, Suedia, Finlanda dhe Zelanda e Re.

(d.a/dosja.al)

Cila mendoni se është alternativa më e mirë:

View Results

bota bota osman kavala rexhep taip erdogan turqia therret ambasadoret osman kavala rexhep taip erdogan turqia therret ambasadoret

Sondazh

Poll