Bota

Franca dhe Greqia nënshkruajnë marrëveshjen e mbrojtjes, Athina do të blejë tre anije luftrake

28 Shtator 2021, 11:48 Nga DOSJA
Franca dhe Greqia nënshkruajnë marrëveshjen e mbrojtjes, Athina

PARIS– Këtë të martë Franca dhe Greqia njoftuan marrëveshjen e mbrojtjes mes dy vendeve, që përfshin vendimin e Athinës për blerjen e 3 anijeve luftarake si pjesë e strategjisë për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse në Mesdheun Lindor pas tensioneve që vijojnë prej kohësh me Turqinë. Mediat e huaja shkruajnë se Presidenti Emmanuel Macron dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis njoftuan një bashkëpunim strategjik për mbrojtjen dhe sigurinë në një konferencë shtypi në Paris.

“Ky partneritet shpreh vullnetin për të rritur dhe intensifikuar bashkëpunimin tonë në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë bazuar në interesat tona reciproke. Kjo do të ndihmojë në mbrojtjen e sovranitetit, pavarësisë, integritetit territorial të të dy shteteve”, tha Macron.

Greqia do të blejë tre fregata franceze që do të ndërtohen nga kontraktori i mbrojtjes Naval Group në Lorient, në Francën perëndimore. Marrëveshja përfshin edhe mundësinë e blerjes së një fregate të katërt.

“Vendimi vjen nga motivimi kombëtar për të mbrojtur vendin tonë, por gjithashtu ka edhe një motiv europian pasi forcon industrinë tonë të përbashkët të mbrojtjes. Greqia dhe Franca po bëjnë sot një hap të parë të guximshëm drejt autonomisë strategjike europiane,” tha Mitsotakis, duke shtuar se po hap rrugën drejt një Europe që do të jetë në gjendje të mbrojë interesat e saj, në rajon më të gjerë e në Lindjen e Mesme.

Njoftimi vjen në një moment thelbësor për Francën pas humbjes së një marrëveshjeje prej 66 miliardë dollarësh këtë muaj, për shitjen e nëndetëseve me naftë në Australi, e cila në vend të kësaj zgjodhi të blinte nëndetëse me energji bërthamore të ofruara nga SHBA. Greqia tashmë ka blerë 18 avionë luftarakë Rafale francezë dhe planifikon të blejë edhe gjashtë të tjerë në kuadër të një programi për modernizimin e forcave të saj të armatosura. Macron dhe Mitsotakis nuk zbuluan detaje të mëtejshme të marrëveshjes. Tensionet midis Greqisë dhe rivalit historik rajonal Turqisë janë rritur vitet e fundit mbi të drejtat e kërkimit të gazit në Mesdheun lindor dhe ujërat midis dy vendeve.

(i.d.Dosja.al)

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

rajoni rajoni marreveshja france greqi marreveshja france greqi

Sondazh

Poll