Politike

Meta në Mëngjesin e Lutjeve në Berlin: Uroj që Shqipëria të gjejë rrugën e paqes dhe t’i hapen negociatat këtë muaj

7 Qershor 2019, 08:35 Nga DOSJA
Meta në Mëngjesin e Lutjeve në Berlin: Uroj që

BERLIN- Presidenti Ilir META mori pjesë në Takimin e 24-të Ndërkombëtar të Berlinit, ku mbajti edhe një fjalë në Mëngjesin e Lutjeve me temë: “Kërkojeni paqen dhe mos iu ndani asaj”, të moderuar nga anëtarët e parlamentit gjerman (Bundestag-ut) Albert Ëeiler dhe Bernd Rützel, me pjesëmarrjen e zotit Joachim Herrman, Ministrit të Brendshëm të Landit të Bavarisë dhe shumë politikanëve, deputetëve dhe përfaqësuesve të fushave të ndryshme.

“Bashkatdhetarët dhe bashkëatdhetaret e mia presin që negociatat e pranimit me Bashkimin Europian të hapen sa më shpejt, shpresoj këtë muaj, ashtu siç dua t’ju siguroj se ata mbeten po aq kërkues edhe ndaj qeverisë së tyre që ajo të përmbushë detyrimet e të kryejë punët që i takojnë”, – theksoi Presidenti Meta ne fjalën e tij.

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës:

Dëshiroj së pari të falënderoj miqtë tanë të mëdhenj, Bundestagun gjerman dhe veçanërisht komitetin organizues që na mblodhën të gjithë së bashku këtu në Berlin! E di mirë, ashtu sikurse edhe ju, sa të përkushtuar dhe të palodhur janë ata për të forcuar dhe zgjeruar akoma edhe më tej këtë traditë të miqësive të mira dhe besimit të përbashkët në Zot.

Pak ditë më parë, Kancelarja Angela Merkel fitoi zemrat e studentëve të diplomuar të Universitetit të Harvardit, me një fjalim tepër të sinqertë e të mbushur me mendime mbi të tashmen, të ardhmen dhe mbi botën e frikshme që po trashëgon brezi i ri.

Ashtu sikurse ata që kanë një ndjenjë të vërtetë të historisë, edhe unë ndava të njëjtën ndjeshmëri me përshkrimin e saj, veçanërisht me thirrjen që bëri se: “Çdo gjë që duket se është e gdhendur në gur, ose e pandryshueshme, në të vërtetë mund të ndryshojë”.

Gjithmonë do të ndodhin ndryshime pozitive, pasi njerëzit janë në kërkim dhe ndjekje të vazhdueshme të paqes, qoftë atë individuale, komunitare apo të paqes globale.

Ne kemi krijuar partneritete, kemi lidhur aleanca, kemi formuar organizata botërore dhe rajonale për të ruajtur e mbajtur rendin paqësor. Por asnjë nga këto ngrehina nuk do të mbijetojë pa vlerat dhe parimet e ngulitura, që ngjisin bashkë një angazhim të tillë.

‘Demokracia qëndron në zemër të NATO-s’, – tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë vizitës së tij të fundit në Shqipëri, teksa partitë pro Bashkimit Europian shënuan sërish një fitore të madhe në zgjedhjet europiane para disa ditësh.

Është përgjegjësia jonë si udhëheqës që të sigurojmë zbatimin e standardeve të tilla në vendet tona, duke mbetur të vërtetë dhe besnikë ndaj angazhimeve që kemi marrë përsipër përkundrejt popujve dhe partnerëve tanë.

Duhet të ndaj me ju faktin se bashkatdhetarët dhe bashkëatdhetaret e mia presin që negociatat e pranimit me Bashkimin Europian të hapen sa më shpejt, shpresoj këtë muaj, ashtu siç dua t’ju siguroj se ata mbeten po aq kërkues edhe ndaj qeverisë së tyre që ajo të përmbushë detyrimet e të kryejë punët që i takojnë.

Megjithëse një vend modest, ne nuk u shmangemi përgjegjësive tona më të mëdha në lidhje me rendin paqësor global.

Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në aleancat globale kundër terrorizmit ndërkombëtar, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit. Ne shqetësohemi për ndryshimin e klimës dhe kemi marrë zotime në kuadër të Marrëveshjes së Parisit. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë intensivisht me partnerët tanë, në kuadër të të gjitha organizatave ndërkombëtare dhe rajonale për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut, për të administruar emigracionin si dhe për të përmirësuar arkitekturën e sigurisë në tërësi.

Vitin e ardhshëm, Shqipëria do të jetë Kryesuesja e Radhës e OSBE-së dhe do të bëjë çdo përpjekje për të pasqyruar imazhin më të mirë të vlerave të kësaj organizate, si dhe për të zbatuar përparësitë e përbashkëta të një hapësire edhe më të sigurt e më të begatë të OSBE-së. Lutem që t’ia dalim mbanë me sukses në këtë sipërmarrje sfiduese!

Shqipëria krenohet me tolerancën dhe harmoninë e saj fetare. Bashkësitë e të gjitha feve, përgjatë gjithë historisë sonë, kanë qenë ngahera të bashkuara, të angazhuara e përkushtuara për të ruajtur paqen dhe harmoninë. Ky mision fisnik dhe hyjnor njëkohësisht, i bashkon mbarë njerëzit e vendit tim, pavarësisht nga besimi apo përkatësia fetare.

Udhëheqësit e të gjitha bashkësive fetare kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për ta konsoliduar këtë lidhje kombëtare, të bashkuar në dashurinë për njëri-tjetrin dhe vendin tonë.

Kohët e fundit, bashkësitë e krishtera dhe myslimane nëpërmjet Këshillit të tyre Ndër-fetar bënë apel për urtësi e bashkim kombëtar si dhe për një dialog të mirëfilltë, për t’u dhënë fund politikave ndarëse që turbullojnë vendin. Me përulje ju ftoj të bashkoheni me lutjet tona, që vendi im të gjejë rrugën për një paqe, stabilitet, begati dhe të ardhme të pakthyeshme evropiane të merituar.

Lutem gjithashtu që Bashkimi Europian dhe NATO-ja, që mundësuan dhe siguruan paqen, stabilitetin dhe lirinë për këtë kontinent, do të vazhdojnë të kenë sukses dhe të përparojnë, si paqeruajtës të fortë për brezat e ardhshëm.

Lutem që popujt e Ballkanit, të cilët kanë përjetuar vuajtje të tmerrshme, të gjejnë paqen nëpërmjet bashkëjetesës dhe të jetojnë së bashku drejt një të ardhmeje europiane, si rruga e vetme që fëmijët e tyre meritojnë të jetojnë.

“Mbi njerëzit e drejtë sytë e Zotit shikojnë dhe thirrja e tyre atij në vesh i shkon”!

 

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

politike politike berlin hapja e negociatave ilir meta berlin hapja e negociatave ilir meta

Sondazh

Poll