Aktualitet

Shqipëria është gati, afganët jo! Avioni nuk është nisur ende, është bllokuar nga kaosi në Kabul. Rama nuk di ende sa e

19 Gusht 2021, 06:15 Nga DOSJA
Shqipëria është gati, afganët jo! Avioni nuk është

TIRANË– Shqipëria është gati që të presë në vend 300 afganët e parë! Prej dy ditësh në media raportohet se afganët do mbërrijnë nga momenti në moment, mirëpo grupi i parë nuk është nisur ende nga aeroporti ndërkombëtar i Kabulit. Fillimisht u raportua se 300 afganët e parë pritej të vinin në vendin tonë ditën e djeshme rreth orës 17:00, por gjithçka është shtyrë sërish, për një afat që ende nuk dihet, për shkak të zhvillimeve kaotike në Kabul.

Avioni që pritet t’i sjellë, është parashikuar të ulet në pjesën ushtarake të aeroportit në Rinas, ku tanimë janë ngritur dhe disa tenda. Në to, do të jetë ndalesa e parë, ku qytetarët afganë, do t’i nënshtrohen dhe verifikimeve mjekësore, për të parë nëse ndokush ka nevojë për trajtim të specializuar.

Grupi i afganëve me gjasë do të strehohet për një periudhë të shkurtër në disa struktura në Durrës dhe në Tiranë, ndërsa më pas do të nisen drejt kampit në Lezhë. Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka inspektoi ditën e djeshme punimet në Rinas e më pas në Qytet Studenti.

Në Rinas janë ngritur disa çadra ushtarake ku ka staf mjekësor, forca ushtarake dhe psikologë për të pritur rreth 300 afganët, për t’u bërë një kontroll për gjendjen e tyre shëndetësore dhe psikologjike. Më pas do të bëhet edhe identifikimi i tyre, për t’u regjistruar më pas edhe në sistemin TIMS. Afganët do të transportohen me autobusë nën shoqërinë e Forcave të Rendit dhe të Ushtrisë, së bashku me një ambulancë ku dhe do të akomodohen në konviktet në Tiranë dhe në hotelet e përcaktuara në Durrës. Atyre do u bëhen vizita të detajuara, përfshirë tamponi si edhe do të shihen se kush është vaksinuar.

Ajo që mbetet ende e paqartë është numri i emigrantëve që do të vijnë në vendin tonë. Fillimisht kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se në Shqipëri do të vijnë 1 mijë afganë. Në një intervistë të dhënë për gazetën spanjolle El Periodiko, ai tha se afganët që do të vijnë në vendin tonë do të jenë kryesisht gazetarë, punonjës social, mesues dhe bashkëpunëtore të trupave amerikane. Më pas në një intervistë për mediat italiane, Rama tha se do të vijnë tre mijë afganë. Shifra u shumëfishua shumë shpejt nga një biznesmen afgan që jeton dhe vepron në Itali. 

Teksa ndodhej në aeroportin e “Fiumicinos”, ku priti të motrën, Ahmadi kërkoi mbështetjen e gjithë botës për të ndihmuar afganët dhe falenderoi të gjithë ato vende që e kishin bërë. Ai mori si shembull Shqipërinë dhe tha se vendin ynë do të presë 20 mijë afganë, shumë më tepër se ç’është deklaruar nga vetë kryeministri Edi Rama.

Vetë afganët kanë nisur të kërkojnë ndihma dhe donacione. Dosja.al ka mësuar se në biseda që po zhvillojnë përmes platformës së komunikimit “Whatsapp”, afganët kanë nisur të kërkojnë donacione nga Shqipëria. Ata nuk kanë mundur të vijnë dot as sot në Shqipëri, për shkak të kaosit të krijuar në Kabul, por kanë nisur të parapërgatiten për jetën që do të kenë këtu. Konkretisht ata kërkojnë të dinë se ku janë qendrat e donacioneve ku ata mund të drejtohen kur të ndodhen në vendin tonë për të marrë gjëra që u nevojiten. Gjithashtu emigrantët janë vënë edhe në kërkim të një vendi pune.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka lënë të hapur mundësinë për qëndrimin e refugjatë afganë në Shqipëri, në një afat më të gjatë nga sa është parashikuar. Veliaj tha se refugjatët mund të integrohen në Shqipëri duke punuar në vendin tonë. Madje ai nuk e përjashtoi mundësinë që të qëndrojnë përgjithmonë afganët të cilët janë më të mirët e më të aftë për punë të ndryshme.

Pas marrjes së kontrollit nga talebanët, afganët që kanë bashkëpunuar me NATO-n ndihen të kërcënuar dhe janë larguar nga Afganistani. Destinacioni përfundimtar i tyre janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke bërë që në vendin tonë të qëndrojnë përkohësisht deri sa të pajisen me vizë. Pas negociatave të bëra me SHBA, Shqipëria ka pranuar të presë afganët të cilët u rrezikohet jeta nga talebanët.

(a.b)/dosja.al

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

aktualitet aktualitet evakuimi i afganëve ne shqiperi evakuimi i afganëve ne shqiperi

Sondazh

Poll