Bota

Kosova shënon sot 22-vjetorin e çlirimit që erdhi falë NATOS, Kurti: Sot Kosova kremton lirinë

12 Qershor 2021, 09:30 Nga DOSJA
Kosova shënon sot 22-vjetorin e çlirimit që erdhi falë

KOSOVË- Sot mbushen 22 vjet që nga përfundimi i sulmeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë, që shënon çlirimin e Kosovës. Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s dhe njëkohësisht nisi largimi i forcave serbe.

Në 22 vjetorin e hyrjes në Kosovë, KFOR-i ka përkujtuar këtë ditë me një video, duke siguruar se do të vazhdojë të luajë një rol thelbësor, në ofrimin e sigurisë në të gjithë Kosovën dhe stabilitetin në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Njëzet e dy vjet më parë, pas miratimit të Rezolutës 1244/1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, NATO zbarkoi mbi 50,000 trupa në Kosovë si pjesë e misionit të saj të KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë, dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes në të mirë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora lulesh te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s, me rastin e shënimit të 22-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Bashkë me Osmanin kanë bërë homazhe edhe kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë po mbahet një aktivitet protestues përmes artit, për shkak të fyerjeve që po bëhen ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe në përkrahje të çlirimtarëve të vendit. Aktiviteti ka nisur në ora 11:00, ku po marrin pjesë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve.

Sulmet, që vazhduan për 78 ditë, u anuluan më 10 qershor, pasi Komandanti Suprem i NATO-së, Gjenerali Wesley Clark i raportoi Këshillit të Atlantikut Verior se sulmet ajrore të aleancës kishin detyruar Millosheviçin të fillonte tërheqjen e plotë të forcave serbe nga Kosova.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

Më 10 qershor të vitit 1999 tërheqja e trupave serbe nga Kosova bëri që NATO-ja t’i japë fund fushatës së sulmeve ajrore kundër Serbisë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-së Havier Solana, më 10 qershor 1999 urdhëroi ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 12 44, sipas së cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. Pas kësaj rreth 800 mijë refugjatë të dëbuar nga forcat serbe u rikthyen në Kosovë.

10 qershori i viti 1999 shënon edhe fundin e luftës së Serbisë nga Kosova, pas 78 ditësh të bombardimeve ajrore të NATO-s. Po me këtë datë Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 12 44, sipas së cilës në Kosovë u dërguan mbi 37 mijë ushtarë paqeruajtës të KFOR-it nga 36 shtete.

Ndërhyrja e NATO-s u bë pasi Serbia vrau rreth 13 mijë e dëboi nga Kosova mbi 1 milion shqiptarë si dhe luftimeve dyvjeçare të përgjakshme të UÇK-së dhe forcave serbe.

(d.a/dosja.al)

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

diaspora diaspora 22 vjetori i clirimit te kosoves havier solana wesley clark 22 vjetori i clirimit te kosoves havier solana wesley clark

Sondazh

Poll