Bota

BE propozon rregulla për përdorim të inteligjencës artificiale me rrezik të lartë

22 Prill 2021, 08:53 Nga DOSJA
BE propozon rregulla për përdorim të inteligjencës

BRUKSEL– Zyrtarët e Bashkimit Evropian paraqitën propozimet për përdorimin e inteligjencës artificiale me rrezik të lartë siç është skanimi i drejtpërdrejt i fytyrës që mund të kërcënojë sigurinë ose të drejtat e njerëzve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Projekt-rregulloret e komisionit ekzekutiv të BE-së përfshijnë rregulla rreth përdorimit të teknologjisë që zgjerohet me shpejtësi në aktivitete të tilla si zgjedhja e aplikantëve për shkollë, punë ose kredi. Ata gjithashtu do të ndalojnë inteligjencën artificiale plotësisht në disa situata, të tilla si “vlerësimi social” dhe sistemet që përdoren për manipulimin e sjelljeve njerëzore.

Propozimet janë hapi i fundit i bllokut 27-anëtarësh për të ruajtur rolin e saj si bartës të standardeve në botë për normat e teknologjisë. Zyrtarët e BE-së thonë se po marrin një “qasje të bazuar në rrezik” ndërsa përpiqen të balancojnë nevojën për të mbrojtur të drejta të tilla si privatësia e të dhënave kundër nevojës për të inkurajuar inovacionin.

“Me këto rregulla historike, BE i paraprin zhvillimit të normave të reja globale për t’u siguruar se mund t’i besohet inteligjencës artificiale”, – tha Margrethe Vestager, nënkryetare ekzekutive e Komisionit Evropian për epokën dixhitale, në një deklaratë. “Duke vendosur standardet, ne mund t’i hapim rrugën teknologjisë etike në të gjithë botën dhe të sigurojmë që BE-ja të mbetet konkurruese në këtë rrugë”,- tha ajo.

Propozimet përfshijnë gjithashtu ndalimin në parim për “identifikimin biometrik në distancë”, të tilla si përdorimi i njohjes së drejtpërdrejt të fytyrës në turmat e njerëzve në vende publike, me përjashtime vetëm për qëllime të përcaktuara ngushtë të zbatimit të ligjit të tilla si kërkimi për fëmijë të zhdukur ose për persona në kërkim.

Drafti i rregulloreve thotë që “chatbot” dhe “deepfake” duhet të etiketohen në mënyrë që njerëzit të dinë se po ndërveprojnë me një makinë./AA.

Rama është propozuar për president nga disa deputetë socialiste, mendoni se:

View Results

bota bota be margrethe vestager be margrethe vestager

Sondazh

Poll