Aktualitet

Përballja me KLGJ/ Metani kërkoi shkarkimin e saj: Cënoi parimin e paanësisë së gjykimit. Shtyhet për më 17 mars vendimi

11 Mars 2021, 08:41 Nga DOSJA
Përballja me KLGJ/ Metani kërkoi shkarkimin e saj: Cënoi parimin

TIRANË– Gjyqtarja Enkelejda Hoxha ka dalë ditën e sotme para Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, aty ku ka bërë mbrojtjen ndaj akuzave që janë ngritur ndaj saj nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë. KLGJ pasi dëgjoi konkluzionet e palëve vendosi që shpallja e vendimit do bëhet më dt 17 mars ora 10:00.

Të gjitha palët kanë paraqitur konkluzionet në këtë seancë, ndërkohë që të dyja palët nuk janë tërhequr nga pretendimet e tyre. Avokati i Hoxhës ka thënë se pretendimet ndaj gjyqtares së Krujës nuk përbëjnë vërtetësi për shkarkimin nga detyra, por marrjen e një mase tjetër.

Në nisje të seancës, kreu i ILD-së, Artur Metani kërkoi nga KLGJ që të pranohet shkarkimi i saj, pasi sipas tij ajo ka kryer veprime të rënda dhe ka cënuar parimin e paanësisë në gjykime. Ndër të tjera Metani është shprehur se masa disiplinore ‘shkarkim nga detyra’ duhet të jepet menjëherë.

Në përfundim të këtij procedimi disiplinor, si për sa i përket fakteve të provuara dhe pretendimeve të paraqitura nga ana e magjistrates, subjekt procedimi disiplinor, në cilësinë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, përfundimisht vlerësoj se gjatë këtij procedimi disiplinor rezulton e provuar se: Nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha janë ndërmarrë veprime/mosveprime të cilat kanë të bëjmë me mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal. Nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha, nuk janë marrë prova vendimtare për zgjidhjen e çështjes duke cënuar parimin e paanësisë së gjykimit. Nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha i është atribuar dhënia e cilësive të ndryshme, herë si i paraburgosur dhe herë si i dënuar, gjatë periudhave të njëjta në funksion të pranimit të çdo kërkese të paraqitur nga ana e të njëjtit kërkues;  Nga ana e magistrates është aplikuar ulja e njëkohshme e dënimit për periudha më të gjata se periudha 12 mujore e vlerësimit të parashikuar në Ligjin nr. 8328/2008 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar. Nga ana e magistrates nuk janë respektuar kriteret ndaluese për përfitim amnistie. Në 5 procese gjyqësore është konstatuar një mungesë thelbësore në arsyetimin e vendimeve gjyqësore. Arrihet në konkluzionin se veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha janë aq serioze sa kanë cenuar vlerat themelore të saj; besimin që magjistrati duhet të përcjellë te publiku në përmbushjen e misionit dhe rolit të tij në dhënien e drejtësisë; kanë diskretituar rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit dhe kanë ulur dinjitetin e organit që përfaqëson duke e bërë atë të pa denjë për vazhdimin e ushtrimit të funksionit të magjistratit. kërkojmë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor: Të administrojë provat e paraqitura nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në këtë procedim disiplinor Të pranojë kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistrates Enkeleida Hoxha, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 140, pika 2, shkronja “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nga neni 102, pika 1 shkronjat “ç” dhe “dh” dhe neni 102, pika 2, shkronjat “a” dhe “c”, të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe caktimin ndaj saj të masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”.

Që prej muajit dhjetor, pa ndodhur arrestimi i saj, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar shkarkimin nga detyra të gjyqtares Enkelejda Hoxha, pasi kanë ndalë në përfundimin se ajo ka kryer shkelje të rënda profesionale, që diskretitojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës.

Enkelejda Hoxha u vu në pranga pak javë më parë nga SPAK, bashkë me 9 persona të tjerë pasi kishin në plan të lironin të dënuarin për vrasje Saimir Petani. Avokati Aldo Tabaku ishte pjesë e skemës bashkë me sekretaren e gjykatës, Manuela Mallakuçi dhe ekspertin mjeko-ligjor, Shkëlqim Korbi.

Për të gjithë GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”. Gjyqtarja Enkelejda Hoxha akuzohet nga SPAK se ka marrë shuma nga 6 mijë deri në 12 mijë euro në këmbim të lirimit të të dënuarve për vrasje. Në skemë u zbulua edhe mjeku kardiolog Edvin Prifti pasi mori ryshfet për të operuar në QSUT nënën e sekretares së gjykatës, megjithatë është liruar nga burgu.

(k.m/dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet enkelejda hoxha enkelejda hoxha

Sondazh

Poll