Bota

Miratohet raporti mbi Kosovën, Parlamenti Evropian thirrje vendeve të BE-së për njohjen e Kosovës

24 Shkurt 2021, 11:30 Nga DOSJA
Miratohet raporti mbi Kosovën, Parlamenti Evropian thirrje vendeve të

BRUKSEL– Komisioni për Politikën e Jashtme i Parlamentit Europian, ka miratuar me 50 vota pro, dhjetë kundër dhe nëntë abstenime, raportin për Kosovën të përgatitur nga Viola Von Cramon-Taubadel, deputete e të Gjelbërve nga Gjermania.

Me këtë raport, Parlamenti Evropian u bën thirrje edhe një herë pesë shteteve të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë. Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia janë pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Në një komunikatë të lëshuar nga PE-ja pas këtij votimi, thuhet se deputetët nënvizojnë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe njohja nga të gjitha shtetet e BE-së do të ishte në dobi të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas Express, deputetët evropianë po ashtu kanë përsëritur edhe thirrjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi Komisioni Evropian ka konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon, e cila edhe e kishte përpiluar tekstin e raportit, është shprehur e kënaqur me miratimin e këtij raporti.

“Ky rezultat tregon se shumica në Parlamentin Evropian e mbështesin Kosovën në rrugën evropiane. Ne qartë shohim potencialin e këtij vendi, por edhe të Bashkimit Evropian. Por, ende ka punë përpara për Kosovën. Së pari na duhet një stabilitet politikë për zbatimin e reformave të nevojshme”,– ka thënë Von Cramon teksa ka komentuar votimin për raportin për Kosovën.

Në raport, Kosova kritikohet për mungesë të progresit të duhur në shumë fusha, sidomos në zbatimin e prioriteteve të agjendës së reformave evropiane. Deputetët shprehën keqardhje për vazhdimin e de-stabilitetit politik dhe u kanë bërë thirrje të gjitha forcave politike në Kosovë që të angazhohen për reformën e sistemit politik, në mënyrë që të përmirësohet qartësia ligjore dhe procesi i formimit të qeverisë.

Anëtarët e Parlamentit Evropian kanë përsëritur thirrjet që raportet e Kosovës me Serbinë të mbetet prioritet dhe kusht për avancimin e të dyja vendeve në procesin e integrimeve evropiane.

Ata kanë kërkuar nga qeveritë e të dyja shteteve që të përmbahen nga çfarëdo veprime që mund të pengojnë krijimin e besimit mes palëve, që do ta vinin në rrezik vazhdimin konstruktiv të dialogut. Nga Kosova është kërkuar që të përballet edhe me problemet e brendshme në qasjen e saj ndaj dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Të njëjtën ditë në Komisionin e politikës së jashtme është miratuar edhe Raporti për Serbinë. Edhe Serbisë i është dërguar porosia që të jetë konstruktive në dialog me Kosovën. Raportet për Serbinë dhe Kosovën, të miratuara në Komisionin e politikës së jashtme, do të barten në formën e propozimeve për rezolutë në seancë plenare të Parlamentit Evropian.

(d.a/dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

rajoni rajoni dialogu kosove-serbi njohja e kosoves parlamenti europian dialogu kosove-serbi njohja e kosoves parlamenti europian

Sondazh

Poll